Erdogan nga Beogradi: “Epoka e artë” në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Turqisë

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan këtë të premte ka qëndruar për vizitë zyrtare në Serbi, e ku është takuar me homologun e tij Aleksandar Vuçiq.

Gjatë vizitës, presidenti turk Erdogan, njoftoi se pjesë e bashkëpunimit të tyre do të jenë edhe dronët turq që do t’i dhurohen Serbisë. Tutje, Erdogani tha se marrëdhëniet në mes të Turqisë dhe Serbisë janë në “kohë të artë”.

“Turqia dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa së bashku, por këta hapa janë formimi i përbashkët i një industrie të mbrojtjes, për të garantuar paqe”, tha presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan në një konferencë të përbashkët me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.

Ndërkaq, në paraqitjen për media, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se me presidentin turk Erdogan kanë diskutuar për tema të rëndësishme gjeopolitike, si dhe për problemet me të cilat përballen të dy vendet.

“Turqia dhe Serbia kanë marrëdhënie të mira ekonomike. Ne kemi trefishuar këmbimin tregtar, në krahasim me pak vjet më parë”, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Mes tjerash, Vuçiq bëri të ditur se është arritur pajtueshmëri për t’i përmirësuar marrëdhëniet dhe bashkëpinimin në industrinë e mbrojtjes dhe atë ushtarake.

Kujtojmë se presidenti turk Rexhep Taip Erdogan është takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiqin në Beograd, në kuadër të vizitës së tij dyditore në Serbi. Në ditën e mbërritjes së presidentit turk në Serbi, më 10 tetor, Qeveria e Serbisë i ka miratuar disa memorandume mirëkuptimi në mes të Serbisë dhe Turqisë, në fusha si punësimi, siguria sociale, ekonomia, industria dhe teknologjia, media dhe informacioni, rinia dhe sporti, si dhe menaxhimi i emergjencave. Kjo është vizita e katërt e presidentit turk në Serbi, prej vitit 2017.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu