Escobar përfundoi vizitën në Shkup, a do votohen ndryshimet kushtetuese

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit dhe Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e mbylli vizitën e tij në vend me mesazhin se SHBA i sheh si partnerë ata që janë të përkushtuar për integrimin evropian, NATO dhe luftën kundër korrupsionit.

Eskobar, i cili dy ditët e fundit ishte në Shkup, përveç kreut të shtetit, kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti u takua edhe me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili mbetet i mendimit se opozita nuk do të mbështesë ndryshimet kushtetuese sipas diktatit bullgar.

“Dua të filloj duke thënë se nuk jam këtu për të torturuar askënd. Dua ta bëj shumë të qartë se SHBA-ja nuk i zgjedh qeveritë e vendeve anëtare të NATO-s, por ne caktojmë pritshmëri dhe njëra nga gjërat për të cilat do të flas është mesazhi i njëjtë të cilin e kam dhënë në gjithë rajonin; SHBA-ja i sheh si partner natyral ata që përkushtohen për integrimin evropian, janë të përkushtuar ndaj NATO-s dhe për të luftuar korrupsionin”, u shpreh Gabriel Eskobar, zëvendës-ndihmës sekretar amerikan.

Eskobar tha se Maqedonia është dëshmuar se është mik dhe aleat i vërtetë i Shteteve të Bashkuara dhe se ata duan ta shohin vendin si pjesë të BE-së.

Ballkani Perëndimor, sipas Escobar, është pjesa më premtuese e Evropës me rritjen më të shpejtë ekonomike dhe potencialin për të qenë një shtytës i rritjes së BE-së.

“Evropa ka nevojë për ju, dhe Amerika ka nevojë për ju në Evropë. Shpresoj që, si partneri juaj më i ngushtë strategjik dhe miku i ngushtë, dikush që ka përfituar drejtpërdrejt nga ky partneritet, që edhe ju të përfitoni nga partneriteti ynë, pasi ju duhet të merrni vendime të vështira për një të ardhme më të ndritur”, tha Escobar.

Në takimin me kryeministrin Kovaçevski u bisedua për disa tema, ndër të cilat zgjerimi i Bashkimit Evropian, stabiliteti rajonal dhe siguria evropiane.

Në njoftimin e qeverisë pas takimit të Kovaçevskit me Eskobarin, theksohet se në takim është vlerësuar se çdo rezultat tjetër i mundësisë për të vazhduar rrugën evropiane nuk është në interes shtetëror dhe strategjik. Prandaj, siç thuhet, ekziston një marrëveshje e përbashkët që vendimi i ardhshëm në Kuvendin e Maqedonisë të jetë një shtetardhje, në drejtim të integrimit e jo të izolimit.

Në konferencën për media në Qeveri, kryeministri Kovaçevski tha se nuk do të ketë marrëveshje të re, as nuk do të ketë mundësi për rinegocim të kornizës së negociatave.

“Nuk do të ketë asnjë marrëveshje të re, as nuk do të ketë mundësi për të rinegociuar kuadrin e negociatave, siç theksojnë disa politikanë. Ajo që duhet të bëjmë si lidership politik është që të sigurojmë një proces të qetë të anëtarësimit të Maqedonisë në anëtarësim të plotë në BE. Pas anëtarësimit në NATO, Maqedonia duhet të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, sepse Bashkimi Evropian është alternativa jonë e vetme dhe interesi i drejtpërdrejtë i qytetarëve dhe kërkesa e qytetarëve”, tha Kovaçevski.

Ai mbetet i mendimit se çdo vendim strategjik është vendim që përcakton të ardhmen e disa brezave.

Ai beson se VMRO-DPMNE ka edhe kapacitet evropian.

Opozita maqedonase e prirë nga VMRO-DPMNE mban qëndrimin e saj se nuk do të mbështesë ndryshimet kushtetuese nën diktat dhe kërkon zgjedhje të parakohshme.

Në njoftimin pas takimit të liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski me Escobarin, thuhet se Mickoski ka theksuar se pushteti aktual ka dezinformuar bashkësinë ndërkombëtare, përfshirë edhe SHBA-në, për shumë çështje të brendshme politike.

“U konfirmua edhe një herë qëndrimi i partisë se përkushtimi dhe prioriteti thelbësor i VMRO-DPMNE-së janë vlerat e BE-së dhe euroatlantike. Në të njëjtën kohë, presidenti Mickoski tregoi se e vetmja rrugëdalje nga kjo situatë jashtëzakonisht e vështirë është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në të cilat qytetarët do të zgjedhin një qeveri me legjitimitet, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së të publikuar pas takimit”.

Ditët në vijim pritet se çfarë do ndodhë me ndryshimet kushtetuese dhe a do të sigurohen 80 deputetët e nevojshëm.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu