Banorët dhe autoritetet në Evropën Qendrore vazhdojnë të luftojnë me reshje të dendura shiu dhe përmbytje. Në Rumani, zyrtarët thanë se së paku gjashtë persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë zhdukur. Në Austri, një zjarrfikës vdiq gjatë një operacioni të shpëtimit. Në Poloni u raportua, po ashtu, një viktimë nga mbytja, ndërsa në Republikën Çeke katër persona janë të zhdukur. Provinca austriake që rrethon Vjenën, u shpall “zonë fatkeqësie”, ndërsa kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, shpalli gjithashtu gjendje të fatkeqësisë natyrore. Lidhjet e trenave midis Polonisë dhe Republikës Çeke u pezulluan. Në Çeki, rreth 250.000 familje vazhdojnë të mbeten pa energji elektrike. Në kryeqytetin Pragë, autoritetet ndërmorën masa për të parandaluar përmbytjet rreth lumit Volltava. Instituti Kombëtar i Hidrologjisë dhe Menaxhimit të Ujit në Rumani lëshoi alarmin e kuq për qarqet Galati dhe Vaslui, ku përmbytjet në disa zona ishin 3 metra të thella.
“Po shpëtojmë njerëzit që ishin në lartësi prej dy metrash në një çati. Ka edhe persona të tjerë të bllokuar, por rryma është shumë e fortë. Ne jemi përpjekur të arrijmë atje, të gjejmë një mënyrë alternative për të arritur të ata, por situata është e rëndë”, tha Jindrih Stefek, shpëtimtar.
“Për momentin në rrjedhë është evakuimi i personave, të cilët nuk arritën ose refuzuan të evekuohen para se të rritet niveli i ujit në qytetin Jesenik. Aksioni i shpëtimit po realizohet nga njësiti i zjarrfikësve të Jesenikut dhe shërbimit të Shpëtimit. Por gjithashtu edhe Kryqi i Kuq dhe policia e Çekisë janë këtu për të ndihmuar”, u shpreh Miroslav Cerni, shpëtimtar. /Alsat.mk