Familjarët e të dënuarve për rastin “Monstra” dhe “Sopoti” i kanë pasur sytë e kthyer kah Kuvendi në pritje për tu votuar ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve, por partia shqiptare në pushtet siç thonë ata i tradhtoi sërish. Sipas Bedri Ajdarit, përfaqësues i të dënuarve në rastin “Monstra” i cili ishte njëri prej mysafirëve në emisionin debatues “Arena”, kjo parti ka dëshmuar se nuk dëshiron të vërtetën e këtij rasti.
“Fillimisht kemi qenë të zhgënjyer por tani më nuk ka se si emërtohet përpos si tradhti. Nuk na kanë tradhtuar neve se kemi pasur ndonjë marrëveshje por gjithë popullin shqiptar, përfaqësinë e kanë tradhtuar….A kanë pasur konsensus VMRO-ja dhe BDI-ja kur na kanë arrestuar neve, ai ka pyetur dikush, ata e kanë mbështetë. Meqenëse Talat Xhaferi si koordinator i BDI-së thotë, askush nuk e ka të drejtën të diskutojë për fatin e shqiptarëve në Maqedoni përveç BDI-së, atëherë del se BDI-ja na ka arrestu, BDI-ja na ka dënu, BDI-ja po na mban në burg duke e ditur se jemi të pafajshëm”, tha përfaqësuesi i familjarëve të rasti “Monstra”, Bedri Ajdari.
Shaban Limani, njëri prej të dënuarve në rastin e “Sopotit” thotë se ai kurrë nuk ka hequr dorë nga drejtësia, por habitet se përse pengesa kryesore e zbardhjes së “Sopotit” janë bashkëkombësit e tij. Ai thotë se ka dëshmitarë të cilët mund ta ndryshojnë gjithë qasjen e hetimit të këtij rasti.
“Ne kemi bërë apel nëpërmjet mediave që të përkrahet ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve sepse i nevojitet zbardhjes së rasteve si ‘Sopoti’ dhe ‘Monstra’ dhe njëherë e përgjithmonë tu thuhet ndal proceseve të montuara. Momentin që e patën jo politikanët shqiptarë por gjithë shqiptarët i kanë pasur sytë në parlament tek votimi i këtij ligji por fatkeqësisht kjo nuk ndodhi(14:37) Kemi dëshmitarë sa të duash por nuk guxojmë të flasim tani për shkaqe sigurie”, tha Shaban Limani, njëri prej të dënuarve në rastin “Sopot”.
Ajdari dhe Limani i bënë thirrje BDI-së që vetë ajo të propozojë ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve në Kuvend, në mënyrë që të dëshmojë se vërtetë ka interes për të shpëtuar shqiptarët nga proceset e montuara politike./shenja