Mesfushori ofensivë i Maqedonisë, Ferhan Hasani, një nga liderët e Shkëndisë së Tetovës, ka përgëzuar Shqipërinë për tri pikët e siguruara, ndërsa ka pranuar se Maqedonia kishte udhëtuar drejt Shkodrës me idenë për të barazuar sfidën.
“Ne këtu erdhëm për barazim, edhe dje, edhe sot. Por Shqipëria bëri atë që deshi dhe arriti atë që kërkoi. E kërkoi më shumë fitoren dhe në fund e mori”, tha ai. duke vazhduar; “Kur ndodhi faulli pranë zonës, e dinim që Shqipëria është e rrezikshme në raste të tilla. Kështu është futbolli, janë gjëra që ndodhin”, pranoi ai me keqardhje.
Ferhan Hasani “Buba”, gjithashtu pranoi se kishte qenë shumë i emocionuar gjatë këtij dueli, por saktësoi se ishte profesionist dhe ishte munduar të mbante emocionet e të luajturit kundër Shqiptarëve, shkruan Panorama Sport.
“Emocionet në ndeshje të tilla janë të shumta, por unë jam profesionist dhe bëj punën time. Për mua ishte e vështirë të luaja kundër shqiptarëve dhe për më tepër ‘Ballistëve’, por unë jam profesionist. E respektoj Shqipërinë, por duhet të jemi të kujdesshëm për mos të pasur keqkuptime me palën maqedonase”, tha ai.