Shkruan: Arben Fetai, shef kabineti i kreut të ASH-së
Qytetarët e duan BE-në për shkak të vlerave të saj si shteti i së drejtës dhe barazia e të gjithëve para ligjit. Ata e shohin anëtarësimin në BE si shpresën e fundit për të kthyer këtë vend, i cili është në antipode me këto vlera, në binarët e zhvillimit dhe prosperitetit.
Përdhunimet e tilla të procesit të integrimit evropian dhe marrja e tij peng nga hajnat e SDSM, VMRO dhe BDI janë goditje fatale për shpresën e qytetarëve se në këtë vend mund të bëhet mirë, sepse dërgohet mesazhi se pa u amnistuar Rashkovski, Muki, Gruevski e Mijallkov nuk mund të ketë BE. Njëkohësisht amnistohet edhe korrupsioni aktual dhe ai që do vie, duke u varrosur kështu ëndrra evropiane e qytetarëve. Të gjithë jemi peng i një klike kriminale nga e cila varet ardhmëria e fëmijëve tonë.
Aleanca për Shqiptarët u bë pjesë e qeverisë në emër të BE-së dhe me premtime për veting dhe luftë të pakompromistë kundër korrupsionit. Kjo që po ndodh është saktësisht e kundërta.
Unë si anëtar, distancohem nga ky propozim i qeverisë. Nuk e bëmë këtë akrobacion për të amnistuar Mukin, Rashkovskin, Gruevskin, Mijallkovin dhe për të institucionalizuar e legalizuar korrupsionin. Jo në emrin tim!