Doktori Fikri Abdullahu është mjeku që Bashkimi Demokratik për Integrim e ka kandiduar si bartës të listës së këshilltarëve në komunën e Çairit. Abdullahu që e ushtron profesionin në një ordinancë private gëzon kredibilitet tek banorët.
Periudhën tre javore të fushatës Abdullahu e ka shfrytëzuar jo vetëm për të mbështetur kandidaturën e Visar Ganiut, por edhe për të qenë më pranë banorëve, kërkesave, problemeve dhe pritshmërive që ato kanë pas zgjedhjeve. Abdullahu ka qenë prezent edhe gjatë prezantimit të Kontratës 2017-2021 të kandidatit Ganiu dhe ishte një prej atyre që premtuan një fushatë pozitive, e orientuar drejt gjetjes të zgjidhjeve për problemet e banorëve të komunës të Çairit.
Dhe jo një fushatë në të cilën do të shpenzohet energji në politikat ditore nga të cilat qytetarët nuk kanë asnjë dobi. Dhe ashtu ndodhi. Abdullahu po ashtu ishte pjesë aktive e shënimit të Ditës ndërkombëtare të të moshuarve, ku ai qëndroi në terren për disa orë për të kryer vizita dhe konsulata mjekësore falas, analiza, e të tjerë për të moshuarit e zonës.
Janë cilësitë e tij humane që të ndërthurura edhe me profesionin e mjekut bëhen më identifikuese tek personaliteti i tij. Pacientët e njohin për përkushtimin profesional në ambulancën Viktoria vite më parë, dhe tani e gjejnë po aq të përkushtuar edhe në ordinancën e vet private. Një mjek i kujdesshëm është zgjidhja më e mirë për të “kuruar” problemet brenda një komune, por edhe për të siguruar kontakte sa më humane mes zgjedhësve dhe të zgjedhurve.