Filipçe me thirrje deri te Mickoski për “ryshfetin” – Qeveria: Përpjekja për ryshfet hap pyetje për dy të mëparshmet

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i ka bërë thirrje kryeministrit Hristijan Mickoski që t’ia dorëzojë Prokurorisë Publike të gjitha informacionet për ryshfetin. Kryeministri para pak kohësh tha se ka qenë viktimë e përpjekjeve për ryshfet në tenderin për hekurudhën drejt Bullgarisë. Sipas Filipçes, këto janë akuza të rënda që duhet të hetohen, sidomos për faktin se bëhet fjalë për korridor të NATO-s që shërben për dërgimin e shpejtë të ushtarëve nga Italia në Turqi.

“Ajo që tha kryeministri në një konferencë për media është shumë serioze, por është për t’u habitur ajo që e thotë ndërsa asnjë institucion tjetër nuk ka informacion për këtë. Nuk ka asnjë informacion nga PPTH, nuk ka informacion nga KSHPK. Ne këmbëngulim që PPTH të hapë procedurë, që kryeministri të bëjë të ditur të gjitha informacionet, sepse nëse kjo nuk ndodh, ai në një farë mënyre është bashkëpunëtor në të”, tha Venko Filipçe.

Reagoi qeveria. Nga atje thonë se e kanë shtyllë kryesore sundimin e së drejtës dhe kanë shtruar pyetje se si janë zhvilluar tenderët e kaluar.

“Zbulimi i përpjekjes për ryshfet për ndërtimin e hekurudhës ngre disa pikëpyetje për seksionet e mëparshme, një dhe dy. Si është e mundur që për Seksionin 1 dhe Seksionin 2, nënkontraktorë të jenë kompani nga Strumica dhe Reçica e vogël? Dhe sigurisht, duke pasur parasysh më parë, nëse përpjkeja për ryshfet nuk kaloi tani për Seksionin 3, çfarë ka ndodhur në të kaluarën dhe pse hesht ish-kryeministri?”, thotë Qeveria

Së fundmi, Prokuroria tha se nuk kanë marrë denoncim për përpjekje për ryshfet. Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, theksoi se Ministria, si dhe Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura, kanë tërhequr anëtarët e tyre nga komisionet vlerësuese për ofertat e tenderit. Nikolloski nuk është përgjigjur se cilat kompani kanë aplikuar për tenderin që ka qenë i hapur deri më 26 qershor – tha se procesi është i besueshëm, por se një nga kompanitë do të mundej të bënte përpjekje për ryshfet përmes ndërmjetësve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu