Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman ishte shumë i kënaqur me përgjigjen e lojtarëve të tij pas disfatës në El Clasico të shtunën e kaluar, duke mposhtur Juventusin në udhëtim në kuadër të Ligës së Kampionëve. Barcelona fitoi me rezultat 2-0 në udhëtim te Juventusi në ndeshjen e dytë të grupeve në Ligën e Kampionëve, falë golave nga Ousmane Dembele dhe Lionel Messi.
Kjo fitore e ka bërë të lumtur trajneri Koeman, i cili mendon se ekipi i tij ishte superior duke e cilësuar si fitore të shkëlqyeshme. “Mendoj se ne kemi qenë superior, veçanërisht me lojën tonë. Ne gjithmonë arrijmë tek njeriu i lirë, madje kemi pasur mundësi për të shënuar më shumë gola”, ka thënë fillimisht Koeman pas ndeshjes.
“Ne kemi pasur shanse shumë të qarta për të shënuar gola, por gjithashtu duhet të them në rastin e Antoine, ai ishte i pafat. Në gjuajtjen e parë në shtyllë nuk mund të kesh më shumë fat të keq”.
“Nuk është mirë të veçosh një lojtar, ekipi ka treguar shumë besim dhe shumë personalitet ndaj një ekipi të fortë nga Evropa. Është e gjithë skuadra që është spikatur në këtë lojë”, përfundoi trajneri i Barcelonës.