Flet mjeku nga Shqipëria që mori pjesë në obduksionin e Astrit Deharit (FOTO)

Ekipi i pavarur i mjekëve të angazhuar nga familja Dehari që kanë marrë pjesë si vëzhgues në obduksionin e trupit të aktivistit të VV’së Astrit Deharit, shumë shpejtë do të dalë me raport të veçantë.

Mjeku ligjor nga Shqipëria që ka vëzhguar autopsinë Besim Ymaj ka thënë për Express se ende janë duke pritur “ekzaminimet dhe fotografi nga vendi i ngjarjes”

Gazeta Express, ka kontaktuar me Besim Ymajn ekspertin mjeko-ligjor nga Shqipëria, të angazhuar nga familja Dehari, për të vëzhguar procesin e obduksionit të Astrit Deharit.

Ymaj ka thënë, të mërkurën, se po i presin edhe ekzaminimet e tjera si fotot e dëmtimeve të Deharit të cilat aktualisht nuk i kanë në dispozicion. Pas kësaj, ata do të dalin me raportin të veçantë për rastin ‘Dehari’. Eksperti tjetër i pavarur që ka marrë pjesë në obduksion është patologu Besim Latifaj që punon në Britaninë e Madhe.

Ymaj ka thënë se organet e hetuesisë kosovare janë pajtuar që t’iu ofrojnë atyre materialet bazë e provat si dhe fotografitë me ngjyra të bëra gjatë kryerjes së obduksionet të trupit të Astrit Deharit.

“Ne pritet që shpejtë të dalim me raportin tonë. Jemi duke i pritur edhe disa ekzaminime të cilat nuk na janë vënë në dispozicion, si fotot e dëmtimeve nga vendi i ngjarjes. Për këtë çështje janë pajtuar edhe organet e tjera që ne ti kemi në dispozicion”, ka thënë Ymaj për Gazetën Express.

Ndërkohë që mjeko-ligjori Ymaj nuk ka pranuar që të flas lidhur me atë se a i beson apo jo raportit të Institutit të Mjekësisë Ligjore në bazë të së cilit Kryeprokurori Sylë Hoxha tha se Astrit Dehari kreu vetëvrasje në qendrën e Paraburgimit në Prizren.

“Do të dali rezultati jonë, do ta bëjmë raportin e pavarur. Njëherë për njëherë nuk mund t’i them kundërshtitë tona lidhur me këtë çështje apo rreth raportit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Aty është bërë një inspektim që është bërë nga ana e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë” ka thënë Ymaj.

E Instituti i Mjekësisë Ligjore në Kosovë, me 18 nëntor (të premten) e ka dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e shtetit raportin e obduksionit të Astrit Deharit.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, pati bërë të ditur se të gjitha provat dhe ekzaminimet e kryera gjatë procesit hetimor demonstrojnë që Astrit Dehari ka bërë vetëvrasje.

“Në këtë fazë të hetimeve nuk është gjetur asnjë provë apo dëshmi e mundshme se ka ndonjë ndërhyrje nga faktorët e jashtëm që rezulton me lëndimin apo dëmtimin fizik tani të të ndjerit Astrit Dehari. Pra të gjitha provat dhe ekzaminimet e kryera gjatë procesit hetimor demonstrojnë se ky rast ishte vetëvrasje”, ka thënë Hoxha.

Ndërkaq, pas deklaratave të kryeprokurorit, Sylë Hoxha, ka reaguar “Lëvizja “Vetëvendosje”, përmes një komunikate për media, duke e quajtur raportin e autopsisë jokredibil.

“Kryeprokurori. Sylë Hoxha doli në konferencë shtypi me konstatime ende pa u bërë e pa u kryer hetimet. Ekspertët e mjekësisë ligjore që i ka angazhuar familja, Dr.Besim Ymaj dhe Dr.Besim Latifaj, kanë qenë të pranishëm gjatë obduksionit, por nuk janë ftuar për të thënë fjalën e tyre dhe nuk u janë dhënë materialet bazë e provat, madje as fotografitë me ngjyra”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Astrit Dehari, i cili ishte aktivist i Lëvizjes “Vetëvendosje”, po mbahej në paraburgim si i dyshuar për sulm me granatë ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, që ndodhi në gusht të këtij viti.

Ndërkohë mjekja tjetër e angazhuar për të vëzhguar autopsinë Hatixhe Latifi –Pupovci, e cila është pjesë e Vetëvendosjes, ka thënë se obduksioni është kryer në mënyrë profesionale, por jo edhe raporti i cili sipas saj është shkruar keq. Këto konstatime ajo i ka bërë pavarësisht mungesës së kompetencës në këtë fushë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu