Ukraina tha të shtunën se nuk kishte kuptim që të negociohej me Moskën nëse forcat ruse nuk zmbrapsen sa më shumë që të jetë e mundur drejt kufijve.
Këshilltari presidencial i Ukrainës Mykhailo Podolyak e bëri këtë koment kur u pyet lidhur me një ofertë të presidentit francez Emmanuel Macron për të ndërmjetësuar bisedime mes Kievit dhe Moskës për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“…Derisa të marrim të gjitha sasitë e mundshme të armëve, derisa të forcojmë pozicionet tona, derisa t’i shtyjmë (forcat ruse) sa më shumë që të jetë e mundur drejt kufijve të Ukrainës, nuk ka kuptim të zhvillohen negociata”, tha zoti Podolyak.
Zoti Macron, i cili është përpjekur të mbajë të hapur dialogun me udhëheqësin e Kremlinit, Vladimir Putin që kur filloi agresioni i Moskës më 24 shkurt, tha se Perëndimi nuk duhet ta poshtërojë Rusinë, në mënyrë që të mbahet e hapur mundësia për një zgjidhje diplomatike.
Ukraina, e cila thotë se Rusia ka pushtuar tashmë rreth 20% të territorit të saj, po merr armë më të fuqishme nga Perëndimi.
“Forcat tona të armatosura janë gati të përdorin (armët e reja). dhe më pas mendoj se mund të fillojmë një raund të ri bisedimesh kur pozitat tona të forcohen”, tha të premten ligjvënësi ukrainas David Arakhamia që është edhe anëtar i ekipit negociator.
Ndër të tjera, Shtetet e Bashkuara do t’i japin Ukrainës sisteme raketash me preçizion të lartë HIMARS që kanë kapacitetin të godasin pozicionet ruse nga një rreze e gjatë veprimi.