Kryeministri francez, Michel Barnier, deklaroi se Franca do t’i zbatojë detyrimet në lidhje me urdhrat e arrestit të lëshuara nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ish-ministrit izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant.
Duke theksuar se Gjykata Ndërkombëtare Penale vepron në mënyrë të pavarur, Barnier, gjatë një fjalimi në parlamentin francez, tha se vendi është i përkushtuar ndaj pavarësisë së këtij institucioni.
Ai shtoi se vendimet e ICC-së nuk duhet as të interpretohen, as të mbështeten dhe as të kundërshtohen.
“Franca, si gjithmonë, do t’i zbatojë detyrimet ndaj ligjit ndërkombëtar në këtë fushë, ashtu si edhe në fusha të tjera”, tha Barnier.
Duke theksuar përpjekjet e Francës për arritjen e një armëpushimi në Liban, Barnier kujtoi se mbi 3000 libanezë kanë humbur jetën dhe më shumë se një milion civilë janë shpërngulur gjatë sulmeve izraelite në Liban.
“Personalisht, jam shumë i angazhuar për këtë vend. Shpresojmë se do të arrihet një marrëveshje për armëpushim. Diplomacia franceze do të vazhdojë përpjekjet për t’i dhënë fund këtij konflikti në Lindjen e Mesme”, theksoi Barnier.
Kryeministri francez shprehu gjithashtu shpresën që të burgosurit do të lirohen, përfshirë dy shtetas francezë.
Barnier premtoi se do të vazhdojë përpjekjet për të siguruar një armëpushim në rajon dhe për të promovuar krijimin e dy shteteve që bashkëjetojnë në paqe dhe respekt reciprok.
Ndryshe, dyshja izraelite është akuzuar për krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës.