Emiratet e Bashkuara Arabe kanë porositur 80 avionë luftarakë Rafale, porosia më e madhe ndonjëherë për atë avion luftarak. Është një marrëveshje armësh shumë miliardë dollarëshe që thellon lidhjet ekonomike dhe politike me Francën, raporton AFP.
Presidenti francez Emmanuel Macron nisi të premten një turne dyditor në shtetet e Gjirit dhe përveç Emirateve do të vizitojë edhe Katarin dhe Arabinë Saudite.
Vizita e tij vjen në një kohë kur shtetet arabe të Gjirit po shprehin pasiguri në lidhje me fokusin e SHBA-së në rajon, ndërsa kërkojnë më shumë armë nga aleati i saj kryesor i sigurisë.
Presidenti francez ka krijuar marrëdhënie të mira me trashëgimtarin e fronit të Abu Dhabit, Sheikh Mohammed bin Zayed al-Nahyan, me investime që do të bëhen mes dy vendeve. Franca ka një bazë të përhershme ushtarake në kryeqytetin e Emirateve.
“Përveç pranisë së tre bazave ushtarake franceze në Emiratet e Bashkuara Arabe, ky besim i ndërsjellë është rritur në blerjen e 80 avionëve Rafale, 12 helikopterëve Caracal dhe elementëve të lidhur”, tha presidenca franceze në një deklaratë pas ceremonisë së nënshkrimit midis Sheikh al-Nahyan dhe Macron në Dubai.
Negociatat për avionët luftarakë Rafale kanë vazhduar për më shumë se një dekadë midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe furnizuesve të tyre francezë.