Qytetarët vendosin lule dhe qirinj jashtë kishës në qytetin Nisë në Francë ku tre njerëz u qëlluan me thikë për vdekje. Njëkohësisht forcat e sigurisë janë shtuar në objektet dhe godinat fetare, si dhe në të gjitha shkollat në shtetin francez.
Presidenti Emmanuel Macron tha se sulmi i ditës së enjte ishte një “sulm terrorist”. Ai pritet të mbajë një takim urgjent me ministrat kryesorë të kabintetit të tij. Ministri i mbrojtjes në Francë paralajmëroi se sulme të tjera të tilla janë të pritshme.
Dalja në mbrojtje që presidenti Emmanuel Macron i ka bërë publikimit të karikaturave me objekt ikona dhe figura fetare ka ngjallur pakënaqësi në shumë shtete me shumicë muslimane. I dyshuari për sulmin me thikë të së enjtes, një djalë 21 vjeç nga Tunizia, u qëllua me armë nga policia dhe tani gjendet në gjëndje kritike për jetën në një spital në Francë.