Frika nga fortuna e Gjykates Speciale, komandantët nisin “luftën” mes tyre!

Balotazhi në Drenas në mes të kandidatit nga Nisma dhe kandidatit të PDK-së, kanë bërë të krijohen shumë debate në mes këtyre dy partive. Ishte pikërisht kandidati i PDK-së, Ramiz Lladrovci ai që kishte theksuar se nuk e ka keqpërdorur fondin “Vendlindja thërret” dhe për këtë duhet pytur Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi.

E menjëhershme kishte qenë kundërpërgjigjja e ish-kryeparlamentarit dhe kryetarit të Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, i cili ka thënë se për çështjen e fondit “Vendlindja thërret” duhet të mbajnë përgjegjësi Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe kryetari i Komunës së Drenasit.

“Këtyre njerëzve të pafytyrë duhet t’ua them se: Dy të parët dhe i treti, të merren vesh mes veti, se kush nga këta e mbajnë përgjegjësinë për ndarjen e Fondit në fjalë? Kush nga ata rrinin në Tiranë dhe me parat e kujt jetonin atje? Ku i merrte parat Ramiz Lladrovci? Ku i merrnin Hashimi e Kadriu? Kush nga ju i merrte parat nga Fondi i Zvicrës e kush nga ai i Gjermanisë? Këto copa kam arritur t’i bashkoj unë si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri (pas kthimit nga Parisi). Ramizi besoj se nuk ka harruar se çfarë raportesh kishte me Xhavit Halitin dhe Azem Sylen në Tiranë. Raporte hiq më të mira nuk kishte as me Hashimin dhe Kadriun edhe shumë vite pas luftës. Pse ky anëtar i devotshëm i partisë i bëri lëvizjet nga PDK në AAK dhe përsëri në PDK? Çka u bë sot që u bëre bashkë me ata që i shantazheve gjatë? Dhe si duket nuk te shkoi bash huq!” ka shkruar mes tjerash Krasniqi.

Ndërsa të gjitha këto kanë sjell reagime të shumta në publik, në mes tyre ka pasur edhe raportime që këto akuza dhe kundërakuza që i bëjnë ish ushtarët e UÇK-së e PDK-ja kanë lidhje me Gjykatën Speciale.

Sipas analistëve këto akuza mund të jenë si pasojë e Gjykatës Speciale, mirëpo përsëri këto mund të jenë vetëm kërcënime, sepse sipas tyre Gjykata Speciale tashmë i ka mbledhur dëshmitë e saj.

Njohësi i sigurisë dhe analisti, Jeton Kelmendi thotë se e gjitha kjo është për inate primitive të komandantëve dhe këto akuza i nxjerrin vetëm për ta kërcënuar dhe shantazhuar njëri- tjetrin pasi që është Gjykata Speciale.

“Mendoj se gjithë këto debatet që kanë filluar ndërmjet të ashtuquajturve ish komandanteve të luftës, janë diçka jo serioze, për faktin se të gjitha bëmat që nga krye njeriu i parë udhëheqësi politik presidenti Hashim Thaçi duke zbritur tek poshtë deri tek Kadri Veseli e deri tek komandanti më i ultë në atë që quhet shtabi i përgjithshëm, jo vetëm njëri- tjetrit ,por i di edhe populli të bëmat e secilit. Logjikisht të gjithë njohësit e historisë e dijnë që Adem Jashari është tradhtuar se u vra me gjithë familjen dhe nuk u vra asnjë njeri tjetër i huaj dhe për këtë kush do ta ketë bërë sigurisht e dijnë këta mes veti, këta të ashtuquajturit komandantët. Kjo që tani po përpiqen ta nxjerrin njëri tjetrin të bëmat janë inati primitive që i kanë ndaj njëri tjetrit dhe këto i nxjerrin vetëm tani për ta kërcënuar njëri tjetrin për ta shantazhuar me që është Gjykata Speciale. Por Gjykata Speciale shumë logjikisht i ka tashmë këto informata në qoftë se nuk i kanë zhdukur misionet e mëparshme UNMIK-u EULEX-i etj sepse ka pasur çdo dëshmitarë që kanë pasur mundësi të dëshmojnë për secilën gjë veç e veç” thotë Kelmendi.

Ai shton se Gjykata Speciale tashmë i ka deklaratat dhe të gjitha këto janë inate primitive nga komandantë të pashkolluar.

“ Prandaj këto janë për inate primitive, sepse këta komandant janë njerëz të pashkolluar, janë njerëz gjysmë mediokër dhe tash nuk mund ta durojnë njëri tjetrin. Dikush merr më shumë dikush merr më pak pushtet dhe këso gjërash madje edhe pasuri dhe kjo është inati në mes tyre se nuk është diçka më serioze. Gjykata Speciale mundet spontanisht të ketë ndonjë deklaratë aty këtu ta merr por jo tani, sepse nëse Gjykata Speciale nuk i ka marrë këto ma herët këto tani janë denigrim i njëri tjetrit, shpërfaqje e ftyrës së vërtetë e këtyre individëve të ashtuquajturve komandat. Sepse si ekspert i sigurisë dihet se Adem Jashari ka qenë i tradhtuar, sepse po të kishin qenë këta lloj komandatësh do të ishte vrarë edhe Hashimi, Kadria e Rexhep Selimi, sepse edhe këta tjerë ishin vra me Adem Jasharin, nëse do të ishin besnik dhe bashkëpunëtorët e tij. Faktikisht të gjithë janë gjallë dhe kanë shpëtuar prandaj nuk është diçka e re por janë inate që shantazhojnë njeri tjetrin në kohën kur Gjykata Speciale do të fillojë punën e saj. Gjykata tashmë duhet t’i ketë faktet dhe jo të merret me këto shantazhe” thekson Kelmendi.

Analisti Rexhep Shahu, thotë se e gjitha kjo është vetëm fillim dhe se lufta e tyre do të fillojë të intensifikohet edhe më shumë.

“Është e pashmangshme kjo qe po ndodh. Zullumi do të këputet prej trashjes. Ky është veç fillimi. Lufta mes tyre ka qenë e nëndheshme, e hapur dhe e fshehtë dhe do të fillojë të intensifikohet edhe më shumë. Ata i dinë njëri- tjetrit dhëmbë e dhëmballa, ia dinë mashtrimet njëri – tjetrit. Dhe duke pretenduar cili do të rri i pastër para publikut ata komandantat haraçista synojnë ta groposin njëri – tjetrin. Harami duhet me dalë. Kur Lladrovci filloi të pyese ku i more paret për shpi etj etj, do të thotë që loja nisi, ku i morën paret këta që u bën pasanike. Fondi vendlindja thërret po pisket me e ditë ku kane shkuar paret e shqiptarëve” shprehet Shahu.

Ai thotë se Gjykata Speciale dhe frika nga kjo gjykatë vetëm i përshpejtojnë proceset dhe se e vërteta nuk do të varroset.

“ Gjykata speciale dhe frika se do të përballen në atë gjykatë vetëm sa i përshpejton proceset që do të ndodhin domosdo. E vërteta nuk varroset, edhe nëse po, ajo nuk kalbet” thekson Shahu.

Kurse analisti politik, Kushtrim Gashi thotë se të gjitha këto debate kanë të bëjnë me mbijetesën politike.

“Debati i fundit ndërmjet ish krerëve te UÇK-se më shumë ka bëjë më luftën për pushtet se sa me Gjykatën Speciale. Krerët e Nisma-s ishin ata që filluan ketë debat, duke u munduar që të përfitojnë politikisht në Komunën e Drenasit, mirëpo nuk ia arritën. Ata dështuan që t’i fitojnë zgjedhjet dhe rrjedhimisht po shuhen si parti politike. Të vetmen mënyrë për mbijetuar politikisht po e shohin duke atakuar PDK-në” shprehet Gashi./BS/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu