Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi thotë se do të përpiqen ta ndryshojnë formulimin “gjuhën që e flasin 20 për qind e qytetarëve” me “gjuhën shqipe” dhe thekson se kjo është çështje e marrëveshjes politike.
“Normalisht, do të përpiqemi ta ndërrojmë këtë formulim. Kjo është çështje e marrëveshjes politike nëse ka sens politik për momentin të gjitha partitë ta perceptojnë këtë kërkesë të shqiptarëve me term të saktë të emërohet gjuha shqipe, siç quhet – gjuha shqipe, e jo me çfarëdo qoftë formulime tjera të ndërlidhura me përqindje”, tha Gashi në brifingun e sotëm me gazetarët.
Gashi theksoi se deputetët dhe partitë shqiptarë kanë qëndrim të vetëm lidhur me formulimin si është formuluar gjuha shqipe në Kushtetutë, e ai është formulim, i cili siç tha, nuk respekton asnjë shqiptar.
Gashi potencoi se në Kuvend nuk kanë diskutuar nëse Gjykata Kushtetuese merr vendim që tri pikat kyçe të Ligjit për gjuhët të kthehen në shtëpinë ligjvënëse.
“Për këtë nuk kemi biseduar, sepse kjo është punë e Gjykatës Kushtetuese. Mendoj se duhet të presim dhe të shohim se çka do të bëjë Gjykata Kushtetuese dhe pastaj në situatë të re eventuale, por shpresoj se nuk ka nevojë për një situatë të këtillë, por nëse ka atëherë do të flasim”, tha Gashi.