Avokati i familjes së Astrit Deharit, Tomë Gashi, ka thënë se nuk i besojnë raportit të autopsisë, i cili thotë se Dehari ka shkaktuar vetëvrasje.
Gashi thotë se arsye shtesë për të mos i besuar këtij raporti është fakti se ekspertëve privatë të angazhuar nga familja Dehari nuk u janë dhënë provat e gjetura në proces.
“Kemi kërkuar për më tepër se 11 ditë, që provat t’iu jepen edhe ekspertëve privatë. Flamur Blakaj nuk ka refuzuar asnjëherë që të na i japë provat. Ai ka qenë i pajtimit që t’iu jepen edhe ekspertëve të pavarur, por kryeprokurori dhe prokurori i çështjes nuk kanë lejuar”, ka thënë Gashi në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Është e pakuptimtë se si mund t’i besojmë një raporti të autopsisë kur të gjitha provat nuk u janë dhënë ekspertëve të pavarur. Unë dhe familja Dehari nuk mund të besojmë në atë që u tha sot. Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, më ka thënë se raportin mund ta marrin edhe prindërit e Deharit, por raportin e kam marrë unë si përfaqësues i familjes. Ky raport është i pabesueshëm, sepse ekspertët e pavarur nuk i kanë pasur materialet për të dhënë versionin e tyre”, thotë Gashi. “Kemi një situatë ku është dëshmuar se shishen ia kanë hequr nga goja të burgosurit e tjerë, dhe në anën tjetër del se në atë shishe nuk ka pasur shenja të gishtave të askujt tjetër. Kemi arsye të besojmë se provat janë kontaminuar”.