Gashi kërkon dorëheqjen e Kurtit: LVV-ja ka humbur shumicën parlamentare

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, thotë se Lëvizja Vetëvendosje ka humbur shumicën parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Ai kërkon nga kryeministri Albin Kurti të japë dorëheqje dhe vendi të shkojë sa më shpejt në zgjedhje, pasi sipas tij, po dëshmohet se pushteti aktual “nuk është i aftë për ta qeverisur vendin”.

Gashi deklaron se shumica në Kuvend, për shkak të humbjes së numrave, s’po merr pjesë në seanca të jashtëzakonshme, si dhe nuk po thërret seanca të rregullta plenare.

Javë më parë nga Lëvizja Vetëvendosje janë larguar tre deputetë. Deputetët Eman Rrahmani dhe Visar Korenica kanë dhënë dorëheqje nga partia në pushtet dhe janë deputetë të pavarur, kurse deputetja Drita Millaku ka aderuar në LDK. Më parë nga LVV-ja, janë larguar edhe deputetët, Haki Abazi dhe Fatmir Humolli. Përveç deputetes Millaku, shefi i deputetëve të LDK-së, paralajmëron se shumë shpejt edhe deputetë të tjerë të LVV-së, do të aderojnë në LDK.

Mazhoranca s’ka marrë pjesë në katër seanca të jashtëzakonshme të Kuvendit, të thirrura nga opozita.

“Vetëvendosja s’po merr pjesë në komisione. Vetëvendosja s’po merr pjesë në seanca. Vetëvendosja po i dështon seancat. Vetëvendosja po i dështon komisionet hetimore parlamentare dhe po e dështon punën e Kuvendit. Kjo është si rezultat i mungesës së kontrollit nga ana e Vetëvendosjes. Ata s’kanë vullnet të kenë bashkëpunim. Kjo mungesë e vullnetit të bashkëpunimit është evidente në këtë legjislaturë. Për herë të parë në historinë e parlamentarizmit në Kosovë nuk është arritur asnjë kompromis, bashkëpunim dhe koordinim mes pushtetit dhe opozitës. Ne jemi në një situatë ku nuk ka shumicë parlamentare. S’ka shumicë qeverisje dhe LVV-ja nuk është e aftë ta qeverisë vendin. Në këtë situatë normale duhet që kryeministri të japë dorëheqje dhe ta hapë rrugën për zgjedhje sa më shpejt që është e mundur”, tha Gashi në një intervistë për “KosovaPress”.

Duke përmendur publikimin e bisedave mes shefes së deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila dhe ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, që kërkohet për sulmin terrorist në Banjskë, Gashi ka thënë se kjo është shqetësuese. Ai ka thënë se dëshmon bashkëpunimin LVV – Lista Serbe.

“Kemi pa bashkëpunim dhe koordinim të theksuar të Lëvizjes Vetëvendosje me Listën Serbe, sidomos në dy vitet e para dhe komunikimin me kriminelin ndërkombëtar, terroristin Milan Radoiçiq. Kjo është sjellje e çuditshme e një shumice parlamentare dhe kjo sjellje pengon parlamentarizmin në Kosovë dhe avancimin e demokracisë në Kosovë”, shton ai.

Gashi për KosovaPress thotë se porositë amerikane janë gjithnjë më eksplicite dhe ndëshkuese për Kosovën. Duke komentuar vizitën ditë më parë në Kosovë të ndihmës-sekretarit amerikan të shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike James O’Brien, shefi i deputetëve të LDK-së, thotë se nuk pret ndonjë reflektim pozitiv dhe afirmativ për Kosovën nga ana e kryeministrit Albin Kurti.

“Gjithnjë më të qarta. Gjithnjë më eksplicite dhe më ndëshkuese për Kosovën. Kjo është fatkeqësi…Kryeministri në vazhdimësi ka qenë i papërgjegjshëm. Veprimet e tij kanë qenë veprime të papërgjegjshme në aspektin e sjelljes institucionale. Në këtë kohë fushate nuk presim ndonjë reflektim pozitiv dhe afirmativ për Kosovë nga ana e kryeministrit”, thotë Gashi.

Sa i përket situatës në veri, Gashi deklaron se atje momentalisht ka një gjendje të përkohshme, ku në teren ka prezencë më të madhe të policisë së Kosovës dhe largim të strukturave kriminale serbe.

Mirëpo sipas tij, problematike është gjendja juridike, pasi konsideron se kryeministri Albin Kurti, përmes marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të arritur vitin e kaluar në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, i ka dhënë autonomi substanciale komunave në veri.

“Ajo çka ka ndodh është se ka një gjendje të përkohshme në veri të Kosovës. Gjendja e përkohshme e ndryshme, sipas botëkuptimit tim nënkupton se është një situatë ku nuk ka gjyqtarë dhe prokurorë. S’ka përfaqësim të popullsisë lokale në institucione, por është e vërtet se ka një prezencë fizike më të shtuar të policisë së Kosovës dhe një mungesë të demonstrimit publik të strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë. Në aspektin faktik është e tillë, ndërsa në aspektin juridik ka një ndryshim negativ për interesin e Kosovës. Ka një marrëveshje ajo e Brukselit dhe aneksi i Ohrit të arritura nga kryeministri Kurti ku japin autonomi substanciale për komunat me shumicë serbe në Kosovë. Në fokus janë komunat në veri dhe kjo është jashtëzakonisht ndryshim i situatës në Kosovë”, thotë ai.

Në anën tjetër, Gashi nënvizon se LDK-ja, është e gatshme për të dalë si parti fitimtare në zgjedhjet e 9 shkurtit. Ai ka paralajmëruar aderime tjera nga LVV-ja në LDK, krahas deputetes Drita Millaku, që aderoi pak ditë më parë.

Gjatë kësaj legjislature në Kuvend, para dy viteve edhe deputetja, Doarsa Kica-Xhelili nga mazhoranca ka kaluar në LDK.

Lidhja Demokratike e Kosovës është e gatshme për zgjedhje. LDK-ja e ka kauzën dhe programin e vet. Kauza e LDK-së është programi ‘Rruga e Re’. LDK-ja është e angazhuar dhe motivuar. Pritjet tona janë që LDK-ja të kthehet bindshëm në qeverisje dhe Kosovës t’i jap një qeverisje të mirë, zhvillimore dhe përfaqësuese ku sundon rendi dhe ligji…Ka deputetë që kanë ardhur nga LVV-ja drejt LDK-së. Ka deputetë të tjerë që kanë interesim t’i bashkohen LDK-së nga Lëvizja Vetëvendosje po ashtu. LDK-ja ka prurje të reja. Nuk mund të përmend emra, pasi s’është korrekte nga ana ime derisa nuk është formalizu dhe zyrtarizuar ardhja në LDK”, nënvizon Gashi.

Krahas këtyre, Gashi bën të ditur se partitë opozitare do të vazhdojnë thirrjen e seancave të jashtëzakonshme në Kuvend, siç thotë për ta dëshmuar paaftësinë e qeverisjes së LVV-së.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu