Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi ka pyetur pushtetin gjatë komisionit për ndryshime kushtetuese se përse në këtë propozim nuk është inkuadruar edhe propozimi për ndryshimin e emërtimit ofendues të gjuhës shqipe.
“A ka dikush që e urren gjuhën shqipe? E pse atëherë nuk e keni përfshirë edhe atë propozim-ndryshim? A është gjuha shqipe më pak e rëndësishme se integrimi? Po çfarë kuptimi ka integrimi në BE, integrimi me estonishten e portugalishten, kur ky shtet urren ta përmendë emrin e gjuhës shqipe? Se pse e bën këtë BDI-ja dhe LSDM-ja, këtë e dimë më, sepse ata e kanë mendjen të rrokja e parë e emrit të kontinentit të vjetër, por se pse e bën këtë Aleanca për Shqiptarët, këtë vërtet nuk e kuptoj”, ka deklaruar Gashi.
Gashi ka thënë që shpreson që të mos ketë divergjenca të mëdha brenda Aleancës për Shqiptarët, ngase ministri i Drejtësisë nga kjo parti në kuvend i ka sjellë ndryshimet kushtetuese pa gjuhën shqipe, ndërsa kryetari i partisë në rrjetet sociale i del zot gjuhës shqipe.
“Unë uroj të mos kenë divergjenca aq të mëdha ose të mos bëhet fjalë për ndonjë zhvatje, sepse këtë nuk ua dëshiroj askujt e as atyre, por në kohën që kjo qeveri nuk ka siguruar shumicë për ndryshime kushtetuese, pse Aleanca është e detyruar të heqë dorë nga ky propozim, që derisa ishin në opozitë e kishin kryetemë?, ka pyetur Gashi.
Ai tha se për ndryshimin e emërtimit të gjuhës shqipe janë të paqëndrueshme argumentet se “tash nuk është koha” e broçkulla të këtilla.
“Nëse ne nuk ndërtojmë kohezion të brendshëm ndëretnik, për çfarë integrimi flasim? Këto përralla nuk i beson askush, madje as ju vetë”, tha Gashi.
Gashi u shpreh më tej se Alternativa e ka dëshmuar në të kaluarën dhe nuk kemi nevojë ta dëshmojmë edhe një herë se cili është qëndrimi ynë rreth integrimit të vendit në BE.
“ Organet tona partiake, gjithashtu të koordinuar edhe me partitë tjera të Frontit Opozitar shqiptar, do të përcjellin debatin deri në fund dhe do të presim përgjigjet në pyetjet tona. Por tani e kam patjetër të theksoj se ky propozim kështu si është përgatitur dhe kohën në të cilë është dërguar këtu në Kuvend, na lë më shumë për të kuptuar se ky propozim për ndryshime kushtetuese është më shumë antieuropian se sa që ka për qëllim integrimin e vendit në BE, sepse një propozim që ka frikë nga lufta kundër korrupsionit dhe që ka frikë nga përmendja e gjuhës shqipe nuk frymon assesi në frymën evropiane”, shtoi Gashi.