Gazeta Lajm do të publikojë ‘bomba’ të reja për BDI-në, ligji nuk i ndalon?!

Në rrjetet sociale janë paraqitur incizime të reja, respektivisht ‘bomba’ për funksionarët e BDI-së. Edhe pse në opinionin u krijua bindje se për publikimin e ‘bombave’ parashihet arrest prej një viti, avokatët thonë se nuk ka ligj për ndalimin e tyre. Gazeta Lajm është duke bë konsultime përfundimtare me avokatët dhe ekspertët juridikë dhe nëse përfundimisht marrim dritë jeshile, së shpejti do të fillojmë me publikim të ‘bombave’ të reja. Përmes tyre me siguri do të konstatoni se përfaqësuesit e kësaj partie as për së afërmi nuk janë ashtu siç shiten nëpër tubime parazgjedhore, as në aspekt moral, as në aspekt kombëtar e as në aspekt fetar.

Nga ana tjetër, as partitë politike nuk përjashtojnë mundësinë që gjatë fushatës të publikojnë ‘bomba’.

LSDM nuk tregon nëse gjatë fushatës zgjedhore do t’i shfrytëzojë materialet nga përgjimet joligjore, respektivisht “bombat”, por nga partia janë kategorikë se nuk ekziston kurrfarë ndalese për përpdorimin e tyre, shkruan agjencia Meta, në këtë temë, duke shtuar se thuajse te të gjithë bashkëbiseduesit ekziston dilema nëse guxon dhe mundet të shfrytëzohen përgjimet gjatë fushatës zgjedhore.

Për avokatët nuk ka asgjë të kontestueshme në publikimin ose shfrytëzimin e sërishëm të tyre, sepse siç thonë, në drejtësi interesi publik është më i rëndësishëm.

Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se mediumet e LSDM-së për çdo ditë i publikojnë ‘bombat’.

“Nëse publikohen përgjime të reja, atëherë duhet të pyetet Zoran Zaevi nëse i ka dorëzuar të gjitha materialet e përgjuara në Prokurorinë Speciale Publike, siç deklaronte. Sa i përket asaj nëse do t’i shfrytëzojnë ‘bombat’ e vjetra gjatë fushatës, kjo është çështje e tyre”, thotë Ivo Kotevski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Avokati Zvonko Davidoviq thotë se askund nuk ekziston ndalesë për publikimin e materialeve të përgjuara.

“Mund të bisedojmë vetëm për dimensionin moral, përndryshe askund nuk ka ligj për ndalimin e publikimit të përgjimeve. Në drejtësi dihet se interesi publik është mbi të gjitha”, thotë Davidoviq.

“Ad Hok” trupi për mediumet ende nuk ka qëndrim se si do të reagojë nëse publikohen ‘bomba’ të reja ose të vjetra. Në Marrëveshjen e Përzhinës nga 2 qershori 2015 qëndron se publikimi i materialeve plotësuese nga përgjimet do të ndërpritet.

Më 7 tetor 2015 VMRO-DPMNE dhe BDI dorëzuan propozim për moratorium të ‘bombave’, mirëpo nën presion të opinionit, ambasadorëve të SHBA-ve dhe BE-së, ky propozim u tërhoq më 20 tetor. Më 19 maj të këtij viti, Kuvendi megjithatë e votoi Ligjin për mbrojtjen e privatësisë, ose siç njihej “ligji për bombat”, i cili është me zbatim të prolonguar nga 1 korriku 2017.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu