Gjashtë pyetje në lidhje me muajin e shenjtë të myslimanëve

Ramazani është muaji i shenjtë i vitit për myslimanët dhe gjatë gjithë muajit besimtarët agjërojnë çdo ditë nga agimi deri në perëndim të diellit.

Myslimanët besojnë se ishte pikërisht ky muaj kur Zoti ia shpalli pejgamerit Muhamed vargjet e para të Kuranit, në një natë që siç njihet edhe fetarisht “Nata e Kadrit”, shkruan Vox.

Agjërimi gjatë muajit të Ramazanit është gjithashtu një nga pesë obligimet fetare për besimtarët e fesë islame; të gjithë duhet ta agjërojnë përveç atyre që mund të kenë probleme të mundshme shëndetësore dhe personave që jetojnë në disa rrethana të tjera.

Praktika e agjërimit shërben për disa qëllime shpirtërore dhe shoqërore, megjithatë ekzistojnë disa dilema për këtë praktikë që shumë besimtarë dëshirojnë të dinë.

Në këtë artikull do të shtjellojmë disa prej tyre.

Si funksionon agjërimi?

Gjatë muajit të Ramazanit, besimtarët duhet të qëndrojnë pa ngrënë dhe pa pirë nga lindja deri tek perëndimi i diellit, atyre po ashtu nuk i lejohet pirja e duhanit dhe aktiviteti seksual gjatë agjërimit.

Besimtarët, gjithashtu nuk mund të pinë ilaçe, derisa përtypja e çamçakëzit është e ndaluar.

Si është një ditë tipike gjatë Ramazanit?

Gjatë Ramazanit, myslimanët zgjohen shumë përpara agimit për të ngrënë vaktin e parë të ditës, dhe me këtë vakt duhet ta mbajnë vetën deri në perëndim të diellit.

Kjo do të thotë se duhet të hani shumë ushqime me proteina dhe të pini sa më shumë ujë deri në agim, pas kësaj nuk mund të hani e as të pini deri në kohën e iftarit.

Besimtarët nuk duhet të shmangin punën, shkollën a po ndonjë detyrë tjetër normale gjatë ditës vetëm sepse agjërojnë.

Megjithatë, në shumë vende myslimane, bizneset dhe shkollat mund të reduktojnë orët e tyre gjatë ditës ose të mbyllen tërësisht. Megjithatë, në pjesën më të madhe, myslimanët bëjnë punët e tyre të përditshme si zakonisht, pavarësisht se nuk mund të hanë ose të pinë asgjë gjatë gjithë ditës.

Kur bëhet iftari dhe thirrja e akshamit, besimtarët e prishin agjërimin e ditës me një vaktë të lehtë, por fillimisht me ujë dhe hurme.

A mund të humbni peshë gjatë Ramazanit?

Disa prej jush mund të shtrojnë pyetjen nëse është koha e duhur për të humbur peshë, megjithatë është një temë e diskutueshme.

Gjatë muajit të Ramazanit mund të shtoni peshë, për shkak se ngrënia e vakteve të mëdha shumë herët në mëngjes dhe natën vonë me një periudhë të gjatë aktiviteti të ulët që kufizohet me letargjinë në mes, mund të shkaktojë ‘kërdi’ në metabolizmin tuaj.

Një meta-analizë e studimeve shkencore mbi efektet e agjërimit të Ramazanit në peshën trupore zbuloi se ndryshimet e peshës gjatë Ramazanit ishin relativisht të vogla, dhe pesha e njeriut mund të kthyet gradualisht në normën e para Ramazanit.

Ramazani ofron një mundësi për të humbur peshë , por modifikimet e strukturuara dhe të qëndrueshme të stilit të jetesës janë të nevojshme për të arritur humbje të qëndrueshme në peshë.

Pra, ashtu si me çdo plan tjetër diete ekstreme, ju mund të humbni disa kilogram, por nëse nuk bëni në të vërtetë “modifikime të strukturuara dhe të qëndrueshme të stilit të jetesës”, ndoshta nuk do të shihni rezultate të mëdha dhe të qëndrueshme.

Pse ndryshojnë datat e muajit të Ramazanit çdo vit?

Për çështje fetare, myslimanët ndjekin kalendarin islamik i njohur gjithashtu edhe kalendari hënor ose hixhri për të përcaktuar datat e ngjarjeve dhe festimeve fetare.

Kalendari islamik bazohet në 12 muaj, të ciklit hënor dhe këta 12 muaj islamikë janë: Muharrem, Safar, Rabiul Evuel, Rabi al-Thani, Xhumada el-Evuel, Xhumada al-Thani, Rexheb, Shaban, Ramazani, Shevali, Dhul Kada dhe Dhul-Hixhe (muaji i haxhit).

Siç thuhet, këto 12 muaj mblidhen afërsisht në 354 ditë, pra 11 ditë më pak se 365 ditët e kalendarit standard Gregorian.

Prandaj, kalendari hënor islamik lëviz prapa afërsisht 11 ditë çdo vit në raport me kalendarin e rregullt gregorian, kështu muaji i Ramazanit nuk bie njëjtë secilin vit me kalendarin që e aplikon bota perëndimore.

Pse ndonjëherë ka dilemë rreth datës se kur fillon Ramazani?

Data e fillimit të Ramazanit është një nga frazat më të kërkuara çdo vit në motorin e kërkimit në Google.

Kjo për shkak se myslimanët në mbarë botën nuk e dinë se kur saktësisht duhet të fillojë Ramazani.

Siç e dimë, çdo muaj i ri nis me Hënën e re, por në kohën e Muhamedit, kalkulimet astronomike nuk ishin edhe aq të sakta sa janë sot.

Meqenëse Hëna e re nuk është në fakt super e dukshme në qiellin e natës, myslimanët tradicionalisht e fillonin agjërimin derisa copa e vogël e gjysmëhënës të bëhej e dukshme për syrin e tyre.

Megjithatë, kjo metodë ishte pak e çrregullt, kushtet atmosferike dhe retë e bënin të vështirë dallimin e Hënës në disa vende, dhe kështu disa grupe e fillonin agjërimin e tyre në ditë të veçanta, madje edhe brenda të njëjtit vend.

Sot, megjithatë, ne kemi llogaritje të sakta shkencore që na tregojnë saktësisht se kur fillon Hëna e re dhe nuk kemi nevojë të presim derisa dikush të dallojë një gjysmëhënë të vogël në qiell.

Por, ekzistojnë edhe sot polemika të shumta midis vendeve myslimane se kur duhet të cilësohet nisja e një muaji të ri me ciklin e ri hënor.

A ka dallime mes mënyrave se si myslimanët synitë dhe shiitë e kremtojnë Ramazanin?

Në pjesën më të madhe, jo. Edhe myslimanët synitë dhe shiitë agjërojnë gjatë Ramazanit, por me disa dallime të vogla.

Përshembull, synitët e ndërpresin agjërimin e tyre të përditshëm në perëndim të diellit, kur dielli nuk është më i dukshëm në horizont (por ka ende dritë në qiell), ndërsa shiitët presin derisa skuqja e diellit të zhduket plotësisht dhe qielli është krejtësisht i errët.

Shiitët gjithashtu kremtojnë një festë shtesë brenda muajit të Ramazanit që synitët nuk e bëjnë.

Për tre ditë – pra me datat 19, 20 dhe 21 të Ramazanit – Shiitët përkujtojnë martirizimin e Ali ibn Ebi Talibit, kushëririt dhe dhëndrit të Profetit Muhamed, i cili ishte edhe kalifi i katërt i nderuar i “Islamit Sunit” dhe imami i parë “legjitim” i “Islamit Shiit”.

Aliu u vra në luftërat e ashpra civile që shpërthyen pas vdekjes së Muhamedit mbi atë se kush duhet të udhëheqë komunitetin mysliman në vend të tij. Në ditën e 19 të muajit të Ramazanit, ndërsa Aliu po falej në një xhami në Kufa, Irak, një vrasës nga një grup rebelësh që kundërshtonin udhëheqjen e tij e goditën për vdekje me një shpatë të helmuar. Aliu vdiq dy ditë më vonë.

Siç thuhet, Aliu është një figurë jashtëzakonisht e rëndësishme në “Islamin Shiit”. Varri i tij në Najaf, Irak, është vendi i tretë më i shenjtë në “Islamin shiit” dhe miliona myslimanë shiitë bëjnë pelegrinazh atje çdo vit.

Edhe pse synitët e nderojnë Aliun si një nga katër kalifët “të udhëzuar drejt” që sunduan pas vdekjes së Muhamedit, ata nuk e përkujtojnë vdekjen e tij apo nuk bëjnë pelegrinazh në varrin e tij.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu