BE nuk do të hapë në dhjetor negociatat me Shqipërinë. Gjermania ka kërkuar zbatimin e 7 kushteve, përveç 5 prioriteteve. Këto kushte do të bëhen të ditura gjatë ditës së sotme, në një konferencë për shtyp në Tiranë nga kreu i Komisionit për Çështjet Europiane ne Bundestag, Gunther Krichbaum.
Deputeti i Bundestag-ut Gjerman, Gunther Krichbaum ka ardhur sot nga Berlini në Tiranë, ku do të takojë kryeministrin Edi Rama dhe më pas do të ketë një konferencë për shtyp rreth orës 16:00.
Krichbaum është kryetari i Komisionit Parlamentar për Çështjet e EU-së pranë Bundestag-ut Gjerman. Ky komision është përgjegjës për çështjet themelore të integrimit evropian, temat institucionale dhe çështjet e zgjerimit si dhe zotëron kompetenca të veçanta për këto.
Burimet bënë të ditur se Krichbaum do të japë një mesazh shumë të fortë në emër të grupit parlamentar të CDU/CSU të Angela Merkel në lidhje me pritshmëritë që duhet të përmbushë Shqipëria pikërisht 4 ditë përpara vizitës se kryeministrit Edi Rama ne Berlin.
Krichbaum do të flasë për 7 kushte, të cilat Shqipëria nuk i ka përmbushur për çeljen e negociatave për anëtarësimin e saj në BE, ç’ka mund të sjellë votë kundër për hapjen e negociatave që pritet të hapeshin në dhjetor.
Bëhet fjalë për 7 pritshmëri që ka grupi parlamentar i CDU/CSU, ndaj Shqipërisë, të cilat do të mundësonin çeljen e negociatave dhe që nuk janë përmbushur.