Një ditë më parë zoti Jorgji Qirjako ngriti disa pretendime mbi dokumentarin e realizuar për fotografitë e kolonjarit Dhimitër Vangjeli. Në respekt të shikuesve e lexuesve të gazetës detyrohem të përgjigjem, për të sqaruar disa elemente fare të qartë, por që me sa duket zoti shkrues “nuk” i paska kuptuar. Në radhë të parë, zoti Qirjako duhet ta firmosë shkrimin si ish-përgjegjës i një periudhe të caktuar të muzeut Ersekë, pra drejtpërdrejt si palë interesi me problemin e ngritur në dokumentar. I dashur mik i (pa) kuptuar, ju thoni se negativët e Dhimitër Vangjelit në muze nuk i sollën magjistarët e as magjistricat.
Kjo është krejtësisht e vërtetë, jo më kot në dokumentar ky fakt është i cituar. Problemi qëndron tjetërkund e këtë ju në shkrim me apo pa qëllim e anashkaloni. A keni ju i dashur mik i (pa) kuptuar një dokument, një shkresë, një procesverbal, qoftë edhe një letër bakalli që tregon se këta negativë ndodheshin në muzeun e Ersekës? Si mund të quajmë të njohur disa negativë që në fakt nuk ekzistonin zyrtarisht, sepse nuk ishin të regjistruara jo thjesht në strukturat përkatëse në Tiranë, por as në regjistrin e vetë muzeut të Ersekës. Është fakt se në këtë bllok inventarizues ndodhej gjithçka, veç negativëve.
A e hidhni dot poshtë këtë fakt??? Pse nuk u regjistruan? Ju sfidoj të nxirrni një dokument e më pas të përdorni proverba ironizues. Shteti, institucionet ma do mendja edhe në ndonjë planet tjetër ku jetojnë ufot, nuk funksionojnë me, unë di, ti di, ata dinë, ne dimë, të gjithë dinë, por me dokumente zyrtare, që në këtë rast nuk ekzistojnë.. Pra, disa prej jush e dinin, albumet sigurisht siç thuhet në dokumentar u stampuan që në kohën e komunizmit, por negativët nuk deklaroheshin. E ky alarm u ngrit nga strukturat e sotme, të cilat i gjetën krejt rastësisht, në këtë arkë municionesh, e që u hap në prani edhe të punonjësve të policisë.
Nëse doni të dhëna të tjera për këtë proces, mund t’ju adresoj në organet përkatëse, të cilat janë të gatshme t’ju japin detaje shtesë. I dashur mik i (pa) kuptuar, është e vërtetë që fotografitë e Dhimitër Vangjelit u përdorën për identifikimin e të masakruarve të Borovës, por a mund të thoni se ku u deklarua se këto fotografi ishin të këtij fotografi? Pse u fshi identiteti i vërtetë i tij? Ju flisni për hapjen e kësaj kutie që zyrtarisht nuk ekzistonte në vitin 2010, por me cilin urdhër apo shkresë shoqëruar? Si mundet të hapen, skanohen dhe stampohen fotografi që nuk janë pronë personale?
Nëse në sistemin e mëparshëm mund të kishte pengesa, pse nuk u regjistruan, inventarizuan apo deklaruan më pas? Si mundet të vijë dikush që nuk është i autorizuar dhe të bëjë ç’të dojë me këto fotografi sikurse ju pohoni? Në cilin sistem shtetëror e keni parë këtë? A më lejohej mua të vija në muze me një skaner personal e të skanoja fotografi? E dini që është shkelje ligjore? Si mundet të quhet normale mbajtja e një pasurie të tillë në një arkë municionesh që kur u hap, mbytej nga lagështira? Fakt është se njeriu që në mënyrë të vazhdueshme ka insistuar në strukturat përkatëse është profesori i nderuar Skënder Aliu.
E nëse ju nuk e keni bërë këtë, a nuk ju duket e tepërt më pas të flisni? E jo vetëm kaq, por edhe të kaloni në kundërsulm, duke quajtur normale mbajtjen e një arkive të tillë, e një pasurie mahnitëse të mbyllur e të masakruar, të padeklaruar, e që sipas burimeve të mia, disa herë mund të kish përfunduar edhe e trafikuar. Mos u çudisni aspak, sepse diçka që nuk ekziston është shumë e thjeshtë të marrë rrugët, siç ka ndodhur me shumë objekte të tjera në Shqipëri. Ju fshiheni pas punës së shkëlqyer të Vangjel Qirjaqit, njeriut pa të cilin këto negativë nuk do të ekzistonin, ashtu siç edhe pas profesor Aliut, që u ngjir duke kërkuar shpluhurosjen e tyre.
I dashur mik i (pa) kuptuar, unë jam kolonjar, krenar për këtë, nuk jam ekspert i qerres, por i së vërtetës. Nuk di çfarë mbroni ju, sigurisht të vërtetën jo. Gjeni veten atëherë…! PS: Më ndjeni që Komitetin Ekzekutiv të dikurshëm, jua quajta Bashki. Ju i dini më mirë këto punë. Shpresoj vetëm që të mos i keni vënë ju ato tepër sekret në albumet e të madhit Vangjeli.