Gjuha shqipe një nga temat më të debatuara edhe në kampin maqedonas

Zyrtarizimi i plotë i gjuhës shqipe vazhdon të jetë pika më e nxehtë e fushatës zgjedhore. Kreu i VMRO DPMNE-së Nikolla Gruevski i cili shumë herë përpara opinionit shqiptar drejtohej në gjuhën shqipe tani përdorimin e saj në tërë territorin e vendit e trumbeton si të rrezikshme e cila mund të çojë madje deri te federalizimi i vendit. Për kreun e LSDM-së Zoran Zaev nga ana tjetër për përdorimin e shqipes nuk duhet bërë asgjë më shumë se sa të zbatohet Kushtetuta.

“Populli nuk i miraton planet e tyre, nuk i mbështet pasi çdo qytetar e ka të qartë se nëse votojnë për Zoran Zaevin, votojnë edhe për vëllain e tij Vice, me të cilin ndajnë tender kriminel dhe përqindje, voton për dygjuhësinë, voton për kantonizimin dhe federalizmin. Voton për ridenimin e Maqedonisë”, tha Nikolla Gruevski, Kryetar i VMRO DPMNE-së.

“Kushtetuta jonë është më pro-evropiania dhe ndër më liberalet që jep mundësi të shkëlqyeshme për përdorimin e të gjitha gjuhëve të të gjitha bashkësive në vend. Vet Kushtetuta është mundësi e shkëlqyeshme. Janë miratuar ligje, siç është ligji për përdorimin e gjuhëve të cilën e sollën Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti, edhe atë në mënyrë tinëzare para se ta formojnë Qeverinë në vitin 2011. Përfundimisht duhet ne të çlirohemi nga këto gjëra, e gjithë bota ecën përpara ndërsa ne akoma flasim nëse dikush guxon dhe si guxon ti përdor të drejtat e tij themelore të cilat janë të garantuara me ligj dhe kushtetutë”, u shpreh Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Partitë maqedonase thuajse në të gjitha ciklet zgjedhore kanë përdorur gjuhën shqipe por edhe çështje të tjera etnike për të manipuluar me ndjenjat e qytetarëve. Ndërsa fushatë e ashpër etnike nga partitë ishte zhvilluar edhe gjatë zgjedhjeve lokale të 2013-ës në betejën për të tuar Kërçovën dhe Strugën./Semra Musai


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu