Brenda 5 viteve, numri i nxënësve në shkollat fillore të vendit është ulur për 13.553. Kjo ulje sipas të dhënave zyrtare të Entit Shtetërorë për statistikë është arritur në mënyrë graduale. Nga 201.914 nxënës sa ka pasur në vitin shkollor 2010-2011, vitin e kaluar kanë ngelur 188 361 nxënës. Tek shqiptarët, edhe pse nataliteti nuk është i njëjtë me atë të para 10 viteve, përsëri mbetet pozitiv. Andaj arsyeja kryesore e uljes së numrit të nxënësve shqiptarë mbetet shpërngulja jashtë vendit e familjeve të tëra.
Kjo temë ishte në fokusin e analizës në kuadër të emisionit “Gjurmë” në TV SHENJA, ku mes tjerash u potencua se një ndër zonat më të rrezikuara nga zbrazja masive si pasojë e largimit të banorëve në vende të BE-së është Komuna e Likovës në Kumanovë. Sipas të dhënave të Entit Shtetërorë për statistikë, numri i nxënësve brenda 9 viteve në këtë rajon është ulur për 35 për qind, ndërsa ajo shqetësuese është fakti se në më shumë fshatra të kësaj komune, numri i nxënësve që mësojnë në vend është i barabartë madje diku edhe më i vogël sesa numri i fëmijëve që ndodhen në perëndim.
Përpos rajonit të Kumanovës, nga fenomeni i shpërnguljes nuk janë imun as zonat tjera të banuara me shqiptarë, përfshirë këtu edhe rajonin e Tetovës. Ndërkaq më shqetësuese është fakti se shpërnguljes së shqiptarëve nuk po i shihet fundi, madje qytetarët e anketuar thonë se po të kenë mundësi minimale, ata pa hamendje do të largoheshin nga vendi. Pyetja që shtrohet në fund është se a do të merr fund shpërngulja masive e shqiptarëve të Maqedonisë drejt perëndimit, apo rastet e Manastirit, Prilepit e Ohrit dhe shumë qyteteve tjera që dikur dominoheshin nga shqiptarët e sot i numëron ato në gishta, do të na përsëriten edhe në Kumanovë dhe në vendbanime tjera.
Më poshtë mund të ndiqni edhe videon e plotë të emisionit “Gjurmë”./SHENJA/