Gjykata e liron nga qelia Henri Çilin

Gjyqtari i gjykatës së Përmetit Dritan Hasani ka liruar nga qelia botuesin Henri Çili duke vendosur që për gjashtë akuzat që ka ngritur prokuroria kundër tij të gjykohet në detyrim paraqitje, ndërsa që drejtori juridik i UET-së Ilir Korbi është lënë në arrest shtëpie.

7 orë ka zgjatur mbrojtja e të arrestuarve, mes të cilëve është edhe botuesit dhe pronarit të UET-së Henri Çili para gjykatës së Përmetit. Seanca nisi në orën 12:00, ndërsa në 19:00 gjyqtari u tërhoq për të dhënë vendimin në orën 20:30. Masa e sigurisë do të vlerësohet nga gjyqtari Dritan Hasani për 30 të arrestuar nga 31, pasi në nisje tha se ka qenë shokë klase në fakultet me Betim Shkupin, administrator i “European Education Initiative Holding”, që kontrollon 100% aksionet e Universitetit Europian të Tiranës, ku Çili është pronar. Në 30 minutat pushim që u morën pas kësaj deklarate, u vlerësua që të përzgjidhet një gjyqtar tjetër vetëm për të dhënë masën ndaj Betim Shkupit, për të shmangur konfliktin e interesit.

Botuesi Henri Çili mohoi gjashtë akuzat për të cilat u arrestua. Henri Çili i arrestuar dy ditë më parë në një operacion të gjerë policor koduar “Mezhgorani” u shpreh se është arrestuar pa asnjë provë, ndërsa lidhur me kunatin, tha se ‘nëse ka bërë paligjshmëri, le të përgjigjet’. Ndërkohë, ditën e djeshme, me kërkesë të prokurorit Asllan Bajrami, u përjashtua gjyqtarja që ishte caktuar për çështjen, Yrvete Shkreli. Shqiptarja.com mësoi se shkak është bërë refuzimi që gjyqtarja i kishte bërë kërkesës së prokurorit për lëshimin e urdhër arresteve ndaj të dyshuarve në këtë dosje. Gjyqtarja Yrvete Shkreli kishte autorizuar kontrollet në banesa dhe në ambientet që i shërbejnë hetimit, por ka refuzuar urdhër-arrestet, të cilat u zbatuan nga policia vetëm me kërkesë të prokurorisë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu