Gjykata Speciale e Hagës ka thënë se aktualisht s’ka as kërkesë publike e as vendim publik të ndonjë gjyqtari lidhur me lirimin e mundshëm të ish-presidentit Hashim Thaçi për të marrë pjesë sot në ceremoninë e varrimit të babit të tij në Burojë të Skenderajt, shkruan Gazeta Express.
Kështu ka thënë për Gazetën Express zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle, duke thënë se Specialja i publikon të gjitha dokumentet publike në faqen e Gjykatës.
“Të gjitha dokumentet publike, duke përfshirë parashtresat nga Mbrojtja dhe vendimet e gjyqtarëve publikohen në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara. Aktualisht nuk ka kërkesa apo vendime publike për këtë çështje”, ka thënë Doyle.
Ai tutje ka shtuar se deri më sot, Dhomat e Specializuara kanë menaxhuar 13 vizita në Kosovë për të paraburgosurit.
“Deri më tani, Dhomat e Specializaura kanë menaxhuar 13 vizita të mbikqyrura në Kosovë për të paraburgosurit”, ka thënë Doyle për Express.
Babai i ish-presidentit Hashim Thaçi do të varroset sot në orën 15:00 në Burojë të Skenderajt.
Hashim Thaçi pas disa përpjekjesh dhe refuzimesh kishte arritur që të merrte leje për ta vizituar babain e tij Haxhi Thaçin më 13 mars 2025 derisa ky i fundit ishte i shtrirë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.
Dje OVL e UÇK-së ka bërë të ditur se Hashim Thaçi s’do të lejohet nga Specialja për të marrë pjesë në varrimin e babait. Kjo ka nxitur reagime të shumta, përfshirë minsitren e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila ka treguar se do t’i shkruaj letër Speciales për t’u ankuar. Gjithashtu ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, qëndrimi i të cilit është shpërndarë nga emisari amerikan, Richard Grenell.
Rama ka deklaruar se Gjyakta Speciale e ka kthyer drejtësinë ndërkombëtare në një farsë, të drejtat demokratike në fjalë boshe, dhe vullnetin e Parlamentit të Kosovës në një boomerang./GazetaExpress