Edhe pse e quajnë degë partiake të LSDM-së, anëtarët e VMRO-DPMNE-së janë ata që ditëve të fundit më së shumti e frekuentojnë Prokurorinë Publike Speciale.
Kush si i dyshuar, kush si dëshmitarë e kush për të shikuar dëshmitë, pothuajse gjysma e komitetit ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së kanë qenë të thirrur në këtë prokurori.
E nga ana tjetër sikur PPS-së edhe komitetit ekzekutiv do ti skadojë afati brenda një muaji, ndërsa në lidhje me atë se a do të rizgjidhen anëtarë të këtij komiteti persona që janë nën hetime, anëtari i kryesisë, Antonijo Milloshoski thotë se ndryshimet në parti nuk mund t’i diktoj PPS, por konfirmoi se do të ketë ndryshime.
“Do të kemi propozime kadrovike që do të thonë edhe vazhdimësi të këtij komiteti ekzekutiv, por në të njëjtën kohë freskim kualitativ që do të mund më mirë të përmirësojë kualitetin e partisë tonë para votuesve dhe para anëtarëve tanë. PPS është zyrë partiake dhe prokurori e politizuar dhe po të pyetet PPS për VMRO-DPMNE-në, atëherë do të kishim përgjigje negative në çdo kontekst”, u shpreh Antonio Milloshoski, anëtar i këshillit ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së.
Se do të ketë reforma të brendshme partiake pati deklaruar edhe njeriu i parë i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski. Ai në një intervistë televizive tha se do të ketë prurje të reja në parti, por të tërhiqet nuk ka ndërmend.
“Do të rikonstruohemi në të gjitha aspektet, dhe do të jemi një opozitë e fortë dhe e përgjegjshme, e cila shumë shpejt do të kthehet në pushtet. – Nuk kam ndërmend të tërhiqem, si fitues i zgjedhjeve, si njeri që e fitoi besimin e shumicës së qytetarëve”, tha Nikolla Gruevski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Përveç rizgjedhjes së komitetit ekzekutiv, muajin e ardhshëm do të formohen më shumë se 20 komisione të ndryshme, ku do të bëjnë pjesë anëtarë të partisë dhe qytetarë që përkrahin politikat e partisë, njoftoi Milloshoski. Ai shtoi se që nga fillimi Prokuroria Publike Speciale ka punuar vetëm kundër anëtarëve të VMRO-DPMNE-së, dhe shpreh dyshim që pjesëtarët e partive tjera politike nuk janë aq të pastër.
“Nuk do të na çudit aspak nëse në ditët në vijim PPS përsëri ngrit padi në baza politike kundër politikanëve të dalluar të VMRO-DPMNE-së, ndërsa në ndërkohë nuk ka asnjë padi për politikanë nga BDI sepse të gjithë paskan qenë të ndershëm, asnjë padi për politikanë të LSDM-së, apo për Zaev apo për Verushevskin, sepse të gjithë paskan qenë të ndershëm apo për cilindo qoftë kryetarë të komunës, funksionar apo biznesmen të afërt të LSDM-së dhe BDI-së. Ky është turpi më e madhe për PPS-në si prokurori e partizuar”, shtoi Milloshoski.
Ndryshe gjatë ditëve të fundit, Prokuroria Publike Speciale ka rritur intensitetin e punës, me ç’rast ka ftuar një numër të madh të anëtarëve të VMRO-së dhe bashkëpunëtorëve të tyre në dëgjim. Prokurorja Speciale, Katica Janeva pati njoftuar se do të ketë padi të reja deri më 30 qershor, kur i skadon afati për ngritje të padive kësaj prokurorie./tv21