Fqinji ynë jugor Greqia, po e merr seriozisht idenë e dërgimit të marrëveshjes së kufirit detar në Arbitrazhin Ndërkombëtar.
Duke parë se bisedimet me palën shqiptare në këtë drejtim nuk po njohin rezultat, për shkak se është vendimi i Gjykatës Kushtetuese në mes, vendim që e rrëzoi këtë marrëveshje më raportin 9 me 0, atëherë pala greke po përgatitet fort për ta çuar çështjen në Arbitrazhin Ndërkombëtar.
Pikërisht këtu Greqia mendon se ka më shumë fuqi dhe mbështetje se sa Shqipëria për të bërë të mundur implementimin e marrëveshjes së Kufirit Detar të nënshkruar në vitin 2009, ashtu sikurse është në draftin e nëshkruar nga dy ish-ministrat e Jashtëm Bakojanis dhe Basha.
Madje bëhet e ditur se Greqia shpreson që ta ketë njëqind përqind të sigurtë fitoren ndaj Shqipërisë në Arbitrazh, referuar dhe tërë precedentëve të mëparshëm ku Shqipëria i ka humbur të gjita çështjet në Arbitrazhin Ndërkombëtar, madje dhe me kompanitë private të huaja. Burime diplomatike bëjnë me dije se pala greke është në fazën e mbledhjes së dokumentacionit të detajuar për t’ia bashkangjitur marrëveshjes, dhe për të krijuar dosjen e plotë, të cilën do ta dërgojë në Arbitrazh.
Pjesë e këtij dokumentacioni të detajuar janë dhe maketet, skicat dhe shënimet, përfshirë dhe hartat dhe draft-hartat e krijuara në të gjitha variantet, ku janë marrë referencat për të vendosur variantin përfundimtar të marrëveshjes së kufirit detar mes dy vendeve në vitin 2009. Mësohet po ashtu nga burimet diplomatike se pjesë e këtyre provave dhe dokumenteve të detajuara janë dhe ato të ekspertëve shqiptarë, të cilët tashmë me urdhër të Berishës, (një pjesë e tyre janë të atashuar pranë PD), i kanë dorëzuar tek pala greke, deri dhe tek shënimet e thjeshta, harta të kufirit, harta e kufirit imagjinar gjatë kohës së diktaturës, të cilin nuk lejohet ta kapërcente askush, referenca ligjore të ligjit shqiptar, deri dhe detajet më të thjeshta.
Të gjitha këto materiale dhe dokumente, në dukje të parëndësishme, do të paraqiten nga ana e palës greke për të treguar se pala shqiptare e kishte bërë gjithçka të studiuar dhe konkluzionin e kishte dhënë referuar ligjeve të veta dhe ndërkombëtare, për marrëveshjen e detit, pa asnjë presion nga pala greke. Mësohet se janë dërguar në Athinë dhe disa ekspertë që kanë qënë në atë kohë në grupin e punës për hartimin e marrëveshjes, të cilët do të jenë pjesë e përgatitjes së dosjes që Greqia do të çojë në Arbitrazhin Ndërkombëtar kundër Shqipërisë për marrëveshjen e “Detit”. Për të treguar se Shqipëria ishte gati për ta implementuar këtë marrëveshje derisa hyri një palë e tretë, sipas gjykimit të palës greke të marrë si referencë dhe nga deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha ishte Turqia, e cila mbështeti PS dhe me ekspertë në atë kohë në opozitë që ta ankimonte në Gjykatën Kushtetuese.
Njëherësh pala greke do të përpiqet të vertetojë me të gjithë këtë dokumentacion se marrëveshja e “Detit” u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për shkak të presionit të opozitës së atëhershme dhe në veçanti presionit të Turqisë. Pikërisht në këtë linjë kanë qënë dhe deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha disa herë në Kuvend kur evidentonte palën e tretë që bëri presion ndaj Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin pa të drejtë të marrëveshjes së kufirit detar me Greqinë.
Ndërkohë që në seancën e ditës së enjte, teksa e evidentoi dhe njëherë faktin se marrëveshja e detit me Greqinë ishte në të gjithë parametrat ndërkombëtarë dhe në respekt të konventave ndërkombëtare, nënvizoi fort se ndërhyrja e palës së tretë e çoi në Kushtetuese dhe e rrëzoi atë.
Dhe aq e rregullt ishte marrëveshja e “Detit” sipas Berishës, sa ai vetë në mënyrë të paprecedentë këshilloi palën greke që ta çonte në arbitrazhin ndërkombëtar, pasi çështjen e kishte të fituar. Një deklaratë e tillë e Berishës, duket se paska qenë tamam e mbështetur, pasi përpara se ta këshillonte Greqinë, i kishte dërguar ekspertët dhe dokumentet shqiptare në Athinë./Pamfleti.com