Fluturimi Bali-Melburn bën ulje të detyruar pas tentativës së një pasagjereje për të hapur derën e avionit.
Një fluturim i kompanisë ajrore “Jetstar”, me mbi 200 pasagjerë nga Bali, Indonezi drejt Melburnit, Australi, u detyrua të kthehej mbrapsht pasi një pasagjere tentoi të hapte një derë të avionit mbi Oqeanin Indian. Incidenti ndodhi të hënën mbrëma, më 31 mars, dhe kompania e konfirmoi ngjarjen në një deklaratë të martën.
“Bëri veprime të papranueshme dhe u tregua agresive ndaj ekuipazhit,” tha Jetstar, duke sqaruar se pasagjerja u nxor nga avioni nga autoritetet lokale në Bali pas uljes.
Sipas një videoje të publikuar në rrjetet sociale, gruaja në pjesën e pasme të avionit arriti të ngrinte dorezën e derës, por një sinjal alarmi njoftoi ekuipazhin në kohë. Të dhënat nga Flightradar24 tregojnë se avioni u kthye rreth një orë pas nisjes.
Jetstar theksoi se siguria e pasagjerëve dhe ekuipazhit është prioriteti i saj kryesor dhe se sjellje të tilla nuk do të tolerohen. Incidentet me pasagjerë problematikë janë rritur vitet e fundit, me raste ku pasagjerët kanë hapur daljet e emergjencës, kanë sulmuar ekuipazhin ose kanë detyruar ulje emergjente.
Gruaja tenton të hapë derën e avionit me mbi 200 pasagjerë,
Në vitin 2023, një burrë hapi derën e një avioni të Asiana Airlines pak para uljes, ndërsa një tjetër u arrestua në SHBA pasi hapi një derë dhe sulmoi një anëtar të ekuipazhit gjatë fluturimit. Autoritetet ajrore po marrin masa më të ashpra për të parandaluar raste të tilla.