Me miratim e një ligji të veçantë për përdorimin e gjuhës shqipe në përbërjen e re parlamentare Maqedonia do të bëhet edhe më e fortë, më e barabartë. Kështu garanton Artan Grubi nga Bashkimi Demokratik për Integrim, i cili është bartës në Listën e kandidatëve për deputet në zonën zgjedhore numër 1, raporton Portalb.mk.
Në pyetjen se pse brenda 15 viteve sa ishte pjesë e ekzekutivit BDI nuk arriti këtë për të cilën zotohen sot, Grubi me sqarim:
“Përdorimi i gjuhës shqipe duhet të arrijë nivelin e përputhshmërinë me Marrëveshjen e Ohrit dhe amendamentin 5 të Nenit 7 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë. BDI dy herë radhazi ka miratuar avancimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe përdorimi zyrtar i gjuhës sonë është avancuar duke ua mundësuar të zgjedhurve në Kuvendin e Maqedonisë që të drejtohen në gjuhën shqipe, por ama ne nuk jemi plotësisht të kënaqur me rrumbullaksimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm për kombin tonë në drejtim të arritjes së barabarësisë. Hezitimi i LSDM dhe VMRO-DPMNE-së në drejtim të zyrtarizimit dhe respektimit të Kushtetutës dhe ligjit për përdorimin e gjuhës duhet të tejkalohet. Ne jemi të bindur që pas mandatit të fuqishëm që do të na japin qytetarët më 11 dhjetor do të na mundëson miratimin e një ligji të ri për përdorimin e gjuhës, i cili do të mundëson barabarësinë bashkë me gjuhën maqedonase, në përputhje me Kushtetutën”.
Ai thotë se shprehet i habitur për retorikën parazgjedhore të partive maqedonase, në raport me dygjuhësinë.
“Nuk dua të përdor narrativ të vijave të kuqe unë ju them para jush që kjo punë do bëhet dhe kjo punë nuk është që e kërkon vetëm BDI-ja, këtë e kërkon Kushtetuta, këtë punë e kërkon edhe analiza kualitative dhe kuantitative e Marrëveshjes së Ohrit e cila është bërë edhe me përkrahjen edhe të Institutit Europian për Paqe edhe me pjesëmarrje të OSBE-së dhe me kërkesë të Komisionit Europian bë Bruksel. Më habit diskursi i partive maqedonase në publik vis a vis asaj që çfarë diskutonim para se të arrijmë Marrëveshjen e Përzhinos”, deklaroi Grubi.
“Sa i përket rregullativës kushtetuese, gjuha shqipe është gjuhë e dytë zyrtare, mirëpo përvoja shumëvjeçare po dëshmon se në praktikë, që të dyja partitë kryesore maqedonase kanë cenuar Kushtetutën duke mos treguar gatishmëri për ta rrumbullaksuar këtë çështje të ngelur pa u përfunduar nga Marrëveshja e Ohrit. Prandaj, shtyllë kyçe e programit zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim është pikërisht rregullimi i përdorimit të gjuhës shqipe me gjuhën tjetër zyrtare edhe atë në të gjitha nivelet në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit”, tha Grubi në konferëncën e sotme për media”, tha Grubi mes tjerash.
Grubi porosit partitë maqedonase që të angazhohen për ligjshmëri dhe rrjedhimisht ta zbatojnë amendamentin V të nenit 7 të Kushtetutës i cili është shumë i qartë dhe ajo që ka nevojë është harmonizimi i rregullativës ligjore me kushtetutën.
Ai kujtoj se edhe pse përdorimi i gjuhës shqipe u avancua dy herë radhazi nga ana e BDI-së, rregullativa e tashme ka disa kufizime për disa nivele të pushtetit, si parlament, gjyqësi, ekzekutiv, pushtet lokal, por ka edhe konfuzion edhe lidhur me përdorimin individual.
Sipas tij, nevoja për ndryshim të kornizës ligjore rrjedh edhe nga analiza kuantitative dhe kualitative e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit e cila u realizua me përkrahje të komunitetit ndërkombëtar dhe ishte kërkesë e Komisionit Evropian.
Grubi premton se duke i pasur parasysh të gjitha vërejtjet, Bashkimi Demokratik për Integrim, gjatë qeverisjes në periudhën 2016 – 2020, do të angazhohet angazhohet për sa vijon:
– të zbatohet Marrëveshja e Ohrit dhe Kushtetuta dhe të pranohet gjuha si një element i rëndësishëm i identitetit dhe si një mjet për forcimin e identifikimit me shtetin dhe nxitjen e mirëkuptimit ndërmjet bashkësive.
– të sillet një ligj më gjithëpërfshirës për përdorimin e gjuhëve, i cili do të ishe i harmonizuar me AmendamentinV të nenit 7 të Kushtetutës.
-të rregullohet e drejta e të gjithë qytetarëve për t’iu drejtuar institucioneve qendrore edhe në gjuhën shqipe, pavarësisht nga vendbanimi i tyre, e drejta e përkthimit të legjislacionit sekondar në shqip, lëshim me automatizëm të dokumenteve personale në gjuhët zyrtare për qytetarët e komunitetit shqiptar, kryesim me seancat parlamentare në gjuhën shqipe, të sqarohen dispozitat gjuhësore në Ligjin e Vetëqeverisjes Lokale, përfshirë Qytetin e Shkupit, standardizim i përdorimit të gjuhëve zyrtare për të gjitha shenjat publike, zbatim të plotë dhe promovim të të drejtave gjuhësore në sektorin gjyqësor.
Grubi kujton se në aspektin praktik do të jetë e nevojshme edhe për disa forma institucionale të cilat do ta rrisnin cilësinë e përdorimit të gjuhës shqipe edhe atë:
-monitorim dhe mekanizma të mbikëqyrjes për zbatimin e tij, për shembull duke ri-krijuar një grup punues ndër-ministror.
-krijimi i qendrave rajonale të përkthyesve dhe interpretuesve për të mbështetur autoritetet lokale
– themelimi i institucioneve për monitorim te përdorimit te gjuhës, për kontroll të standardit dhe cilësisë dhe sanksionim të keqpërdorimeve ose përdorimit joadekuat te gjuhës shqipe.