Artan Grubi nuk është më në Kosovë, por në Shqipëri – këtë e deklaroi zv.kryeministri Izet Mexhiti për televizionin shqiptarë Ora News. Mexhiti tha se arratisja e Grubit tregon se ai është fajtor por se një ditë do të dal para organeve të drejtësisë. Mexhiti sot nuk deshi të japë më shumë detaje, vetëm tha se kjo është puna e MPB-së që ka bashkëpunim me Interpol-in.
Nga VMRO-DPMNE edhe sot akuzuan LSDM-në se gjatë kohës së tyre në pushtet e kanë lejuar Grubin që të vjedh.
“LSD është fajtore për shkak se Grubi vidhte pa u sanksionuar, të gjithë e dinin këtë, askush nuk guxonte ta dënonte. Është e trishtë të shohësh se si tani LSD me të gjitha forcat po mundohet të shpik skenarë, kur ata ndanin pushtetin, kishin frikë ta përmendnin Grubin, e jo më ta thirrin në përgjegjësi. Edhe pse të gjithë kishin njohuri për krimin e Grubit, edhe pse VMRO-DPMNE-ja dhe mediat e thirrnin LSD-në si pushtet, ato nuk ndërmorën asgjë për shkak se për ato ishte e rëndësishme që të qëndrojnë në pushtet”, tha Brane Petrushevski, VMRO-DPMNE.
Nga LSDM gishtin e drejtojnë drejt Toshkovskit i cili, siç thonë, e ka lëshuar Grubin që të arratiset nga vendi.
“Të kapur në këtë skandal të madh, pushteti fillimisht u përpoqën t’ia hedhin fajin baterive të kamerave, ndërsa tani po licitojnë se ku është Grubi, në Kosovë apo Shqipëri. Kufiri i Kosovës është i shoshitur, i hapur për të ikur kriminelët. Zyrtarët qeveritarë duhet të marrin përgjegjësinë në vend që të bëjnë oferta. Për arratisjen e Grubit, d.m.th. për lëshimin jashtë kufijve të shtetit, Toshkovski tashmë duhet të kishte dhënë dorëheqje”, thonë nga LSDM.
Grubi u arratis nga vendi para nje jave duke kaluar kufirin në Bllacë. Pasi shkroi në profilin e tij në Facebook se nuk ka ikur dhe do të kthehet shumë shpejt, që atëherë ka humbur çdo gjurmë. Për të si dhe për ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajrami janë lëshuar urdhërarreste.