Grubi thotë se është i pastër si loti, Davkova: U gëzova, lista e zezë është zë i fuqishëm

Artan Grubi tërhiqet nga politika. Ai në Facebook shkroi se vendimi ishte i vështirë por i domosdoshëm për ruajtjen e integritetit të tij personal dhe politik dhe se me këtë vendim e përkrah, siç tha, liderin Ali Ahmeti. Pikërisht Ahmeti dje theksoi se nuk do ta largojë Grubin nga BDI.

“Edhe pse vendimi thotë që ky nuk është për të dënuar, por për të nxitur përmirësim të sjelljes, unë, përpara Zotit, familjes dhe miqve jam i pastër si loti, por me synimin për të zbardhur të vërtetën, të cilën shumë prej jush e shoh që tashmë e dini, dhe për të mos qenë barrë politike, kam vendosur që të tërhiqem nga jeta publike dhe për këtë e kam njoftuar Kryetarin Ahmeti qysh ditën e parë”, thotë Grubi.

Pasi Grubi u gjet në listën e zezë bashkë me gjyqtarin Enver Bexheti, Prokuroria për të dy hapi lëndë. Kërkohen prova për përfshirjen e tyre në ryshfet dhe tregtim me ndikim. Nga Uashingtoni theksuan se meqë ata kanë prova, ato janë të qasshme edhe për institucionet vendase. Rastin e komentoi edhe presidentja Gordana Siljanovska-Davkova. Sipas saj, Prokuroria duhej menjëherë të hapte procedura kundër të gjithë personave që janë në listën e zezë.

“Ne kemi instrumente për të vepruar pas informacionit që qarkullon në opinion, ja u gëzova, thashë se lista amerikane e zezë është zë i fuqishëm, për shkak se në arsyetim nuk thuhet ky është vetëm akt politik por se bëhet fjalë për veprime kriminele dhe presione ndaj gjyqësorit”, tha Gordana Siljanovska Davkova.

Presidentja tha se ka pasur dilema për nevojën e sjelljes së ligjit për masa restriktive. Një ligj i këtillë u përpilua por nuk i kaloi procedurat e nevojshme që të miratohet. Me të parashihej që automatikisht të hapet lëndë për personat që do të vendosen në listën e zezë, t’u ndalohet të emërohen funksionarë dhe kompanitë e tyre të mos marrin pjesë në tenderë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu