Pas fatkeqësive natyrore të ndodhura në Shkup, ku humbën jetën dhjetra persona, nuk munguan mesazhet ngushëlluese qoftë të lidershipit apo të shoqërisë civile. Ajo që erdhi disi e pazakontë, ishin veprimet e lidershipit maqedonas.
Që të dy liderët e dy partive më të mëdha maqedonase, Nikolla Gruevski dhe Zoran Zaev, ditën që lamë pas nuk u mjaftuan vetëm me ngushëllime dhe vizita, por shkuan më tej, përveshën mëngët dhe ju futën punës. Pak rëndësi ka prapavija e veprimeve të tyre, ajo që shqetëson është heshtja dhe pasiviteti i lidershipit shqiptar.
Një veprim të tillë jo që nuk ndërmori asnjëri nga liderët shqiptarë, por ato as nuk i vizituan vendet e përmbytura. As Ali Ahmeti, perfaqësuesi i shqiptarëve në qeveri, as Menduh Thaci, kryetari i partisë më të madhe opozitare shqiptare, nuk ishin prezent në vendin e fatkeqësisë, edhe pse të prekur nga fatkeqësia nuk ishin vetëm maqedonasit, por edhe shqiptarët.
Shqiptarët e dëmtuar nga fatkeqësitë natyrore, u diskriminuan në ndarjet e ndihmave, ku u bë një ndarje jo proporcionale dhe e njëanëshme, tashmë ata u braktisën nga përfaqësuesit e tyre politikë, të cilët asnjëherë nuk u kanë bërë një përfaqësim dinjitoz, kësaj here ishin inekzistent, dhe i lanë votuesit e tyre në mëshirën e fatit. /InfoShqip.com/