Për hair zgjedhjet! Erdhi koha për zgjedhje dhe ta dëgjojnë zërin e popullit, të cilin për një kohë të gjatë e injoruan dhe e përqeshën. Me këto fjalë e ka filluar fjalimin para simpatizantëve partiak lideri i VMRO-së Nikolla Gruevski, të dielën pasdite në qendrën sportive “Boris Trajkovski”. Ai ka lëshuar akuza të ashpra në adresë të LSDM-së, duke thënë se përgjigjen për bëmat e tyre do ta marrin nga populli më 11 dhjetor.
Duke kërkuar mbështetje nga votuesit, ai ka apeluar deri te qytetarët maqedonas që t’i mundësojnë të fitojë sërish 63 deputetë. “Nuk do të lejojmë që filmi i ‘zaevëve’ dhe ‘verushevëve’ të bëhet realitet, 11 dhjetori është ditë e rëndësishme për Maqedoninë. Kjo është dita kur secili mund të tregojë se në çfarë Maqedonie dëshiron të jetojë dhe në këto zgjedhje nuk duhet vetëm fitore, por është e duhur përkrahja për 63 deputetë për VMRO-DPMNE-në, për Maqedoni stabile dhe të sigurt, 63 deputetë që do të japin porosi të fortë te të gjithë ata që e ofendojnë popullin dhe fund të skenarëve të errëta të ‘zaevëve’ dhe ‘verushevëve’.
Kjo do të thotë shumicë që askush nuk do ta ketë të drejtën ta kushtëzojë. Janë të gatshëm për shumë gjëra, të lëshojnë pe për shumë gjëra, duan të lëshojnë pe për dygjuhësinë në gjithë shtetin për të fituar ndonjë deputet më shumë, por edhe kurrizin ta thyejnë dhe interesin e shtetit ta shesin. Për këtë na nevojiten 63 deputetë. Të mos ju lihet as hapësira dhe shpresa më e vogël se mund të kusuriten dhe licitojnë”, ka thënë Gruevski para simpatizantëve të partisë së tij në Shkup.