Të pasurit grup gjaku 0 dyfishon rrezikun e vdekjes nga plagët e rënda. Të dhënat vijnë nga një studim i ri dhe shkencëtarët besojnë se ky grup gjaku është i lidhur me nivelet e ulëta të një agjenti koagulimi, që mund të çojë në gjakderdhje të madhe.
Sipas një artikulli nga britanikja “Mirror”, të dhënat e pacientëve të pavionit të emergjencës në Japoni, treguan se ata persona që kishin grup gjaku 0 përbënin 28 përqind të vdekjeve, transmeton TV Klan.
Ndërsa përqindja e vdekjeve tek pacientët me grupe të tjera gjaku, të gjithë sëbashku ishte 11 përqind.
Dr Wataru Takayama, nga Spitali Universitar Mjekësor dhe Dental i Tokios, i cili udhëhoqi punën kërkimore tha se “studimet e kohëve të fundit sugjerojnë se grupi i gjakut 0 mund të jetë një faktor me potencial të rrezikshëm për hemorragjinë“.
“Humbja e gjakut është shkaku kryesor i vdekjeve tek pacientët me trauma të rënda, por studimet për lidhjet mes grupeve të gjakut dhe rrezikut të vdekjes nga traumat, kanë qenë të pakta”, shpjegoi eksperti.
Ai shtoi se grupi i tij i punës dëshironte pikërisht që të testonte hipotezën se shanset për të mbijetuar nga trauma, varen nga grupi i ndryshëm i gjakut.
Lloji i gjakut përcaktohet nga proteinat që ndodhen në sipërfaqe të qelizave të kuqe të gjakut. Grupet e tjera kryesore të gjakut janë A, B dhe AB.
Tipi 0 mund t’i dhurohet të gjitha grupeve të tjera pa pasur asnjë efekt negativ. Megjithatë, personat me grup gjaku 0 kanë nivele më të ulëta të faktorit të njohur si Van Willebrand, një agjent që mund të parandalojë vdekjen nga gjakderdhja.