Ditën e sotme janë arrestuar 4 trafikantë, të cilët akuzohen se mblidhnin gra për të punuar në parcelat me kanabis. Mjete luksoze si dhe 35 milion lekë të vjetra janë gjetur gjatë kontrolli të policisë në banesat e tyre.
Sipas policisë, këta persona dyshohet se janë organizatorë dhe sigurues punëtorësh për kultivimin dhe shitjen e lëndës narkotike cannabis sattiva. Gjatë ndërhyrjes policore, e cila ka vepruar me urdhër të Prokurorisë së Krujës, është bërë e mundur zbulimi i disa parcelave me rreth 5000 bimë cannabis, si edhe janë arrestuar si persona të dyshuar si organizatorë, Edmond Kadiu, Elton Bababi.
Ndërkohë, si person që siguronte punëtorët është prangosur Elton Baroka, ndërsa si shofer i furgonit që transportonte punëtorët në parcela, Idajet Gashi. Sipas organit të akuzës, të arrestuarit janë të gjithë banorë të Fushë-Krujës.
sipas veprimeve hetimore, rezulton se Edmond Kadiu dhe Elton Babai kanë financuar mbjelljen e bimëve narkotike, ndërsa Elton Baroka dhe Idajet Gashi merreshin me grumbullimin e personave që punonin për përpunimin e lëndës së përfituar nga bimët narkotike. Gjithashtu, u shoqëruan edhe 16 persona të tjerë, kryesisht gra, te cilët kishin punuar për disa ditë në parcelën ku ishin kultivuar kanabis.
Gjate kontrollit të ushtruar në banesën e Edmond Kadiu u sekuestruan 3.000.000 lekë të reja dhe një automjet B.M.V te tipit X6 , po kështu u sekuestrua një automjet tip Benz CLS i prodhimit të viteve të fundit në pronësi të Elton Babai, si dhe furgoni që transportonte punëtorët për në parcelat me kanabis./shqiperiaime