Do të hapet një pikë e re pediatrike në poliklinikën “Bit Pazar”, ku do të trajtohen fëmijët deri në moshën 14 vjeç. Lajmin e bënë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, dhe drejtori i Shtëpisë së Shëndetit, Samir Iseni. Ky i fundit theksoi se orari i punës do të jetë çdo ditë nga ora 07:30 deri në 19:30, ndërsa të dielave do të ofrojë shërbim 24 orë. Iseni shtoi se ekipi do të përbëhet nga një mjek, një infermiere dhe një laborant.
“Ky punkt hapet për së pari herë nga Shtëpia e shëndetit. Me këtë punkt besoj se do t’u dalim në ndihmë qytetarëve në veçanti fëmijëve, si dhe klinikave, pra për tu bërë kontrolle fëmijëve tanë”, tha Samir Iseni.
Taravari theksoi se rastet më të rënda që nuk do të mund të trajtohen në “Bit Pazar” do të dërgohen në klinikën e pediatrisë.
“Këtu do të bëhen analiza, pasqyra e gjakut, analiza të urinës, CRP dhe në qoftë se konstatohet se pacienti mund të trajtohet këtu me terapi intramuskulare apo diçka që preferohet familja e pacientëve të vegjël t’i marrin në shtëpi, atëherë do të vazhdohet trajtim shtëpiak, në qoftë se rasti është i komplikuar atëherë do të dërgohet në klinikën e pediatrisë”, deklaroi Taravari.
Përveç kësaj Taravari paralajmëroi se pika të tilla do të perpiqen të hapin në poliklinikat tjera të Shkupit.