Hapja e ambasadës amerikane në Shqipëri: Kosova, halli i Tiranës!

Arkivi Shtetëror kujton hapjen e ambasadës amerikane në Tiranë pas rënies së regjimit komunist, ku njeriu i parë që përfaqësonte SHBA-në në Shqipëri ishte ai që sot e përfaqëson atë në Serbi.

Dhe jo vetëm kaq. E para kërkesë nga Tirana drejt Uashingtonit ishte një ankesë për sjelljen serbe në Kosovë.

Ja ç’shkruan Arkivi:

Si sot, më 1 tetor 1991, u hap në Tiranë ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në cilësinë e të Ngarkuarit me Punë ‘ad interim’ ishte Kristofer Hill. Ky i fundit u pasua nga ambasadori William Edwin Rayerson, i cili ia paraqiti kredencialet e tij qeverisë shqiptare më 21 dhjetor 1991.

Tri muaj më pas, sekretari amerikan i shtetit, James Baker, vizitoi Shqipërinë.

Dokumenti bashkëngjitur paraqet një letër të z. Tahir Kërrnaja dërguar në adresë të Baker-it, duke kërkuar vëmendjen e tij mbi trajtimin çnjerëzor të shqiptarëve nga Kosova nga qeveria serbe.

Ndërsa, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Washington-it zyrtar u rivendosën pas një shkëputjeje 52-vjeçare të vendit tonë prej perëndimit, nëpërmjet nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit, që parashihte çeljen e ambasadës shqiptare përtej Atlantikut. Për këtë arsye, në organikën e Ministrisë së Punëve të Jashtme shtoheshin 5 punonjës, një ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë, dy diplomatë dhe dy punonjës teknikë (shifranti dhe shoferi). Shpenzimet e nevojshme prej 270 mijë dollarësh për hapjen dhe funksionimin e ambasadës dhe për pajisjen e saj me autovetura dhe me orendi të ndryshme, duheshin përballuar brenda planit të miratuar për vitin 1991 (lexo dokumentin)”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu