Hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër po konsiderohet se nuk do të paraqesë asnjë rrezik për komunitetin serb në Mitrovicë të Veriut. Në ditën kur po bëhen testimet e fundit për hapjen e urës për qarkullim për vetura, njohësit e pushtetit lokal dhe të sigurisë vlerësojnë se është legjitime hapja e urës dhe sigurimi i lirisë së lëvizjes, mirëpo nënvizojnë nevojën edhe të koordinimin me aleatët ndërkombëtarë, veçmas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në anën tjetër, nga Policia e Kosovës thonë se kurdo që të merret vendimi për hapjen e urës së Ibrit do t’i marrin masat e nevojshme, derisa potencojnë bashkëpunimin me KFOR-in dhe EULEX-in.
Ish ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati thotë për KosovaPress se është legjitime që ura mbi lumin Ibër të hapet për qarkullim, mirëpo duhet pasur kujdes që ky vendim mos të prodhojë tensione të reja në veri.
Ai nënvizon nevojën që të ketë koordinim më të madh me aleatët ndërkombëtarë, në mënyrë që të shmangen tensionet në atë pjesë.
Ferati: Është legjitime që ura mbi lumin Ibër të hapet, por duhet në bashkëpunim me aleatët
“Është krejtësisht legjitime dhe është në të drejtën që të planifikojë veprime të ndryshme që shtrijnë autoritetin e institucioneve të Kosovës, por edhe siguron liri të lëvizjes, siç është rasti i urës. Por edhe një herë dëshmohet se ura, por jo vetëm ajo si një simbolik pak e rëndësishme por edhe përgjithësi gjendja në veri është e karakterit politik. Të gjitha problemet prodhohen për shkak të ambicieve politike që kanë në veri. Ajo çka nuk do të kishim dëshiruar është të prodhohen tensione, pikërisht për shkak të kësaj se kemi kundërshtime të shumicës (serbe) në atë pjesë, që fatkeqësisht komandohen nga Lista Serbe dhe vet Vuçiqi. Ata kundërshtojnë jo pse kanë ndonjë argument por thjesht sepse kjo është iniciativë e institucioneve të Kosovës dhe janë kundër normalizimit të jetës në këtë pjesë. Tash këtu vendimtarë është faktori ndërkombëtarë dhe që duhet patjetër që këto aksione të koordinohen me faktorin ndërkombëtarë”, thekson Ferati.
Ndërkaq, njohësi i sigurisë Arben Dashevci, thekson se ura duhet të hapet për qarkullim, pasi s’paraqet asnjë rrezik për komunitetin serb në veri.
Dashevci: Ura padyshim që duhet të hapet, s’paraqet asnjë rrezik
“Ura padyshim se duhet të hapet dhe do të hapet. Ekzistojnë edhe shumë ura në Kosovë, këtë rast andej lumit Ibër, siç është te Lagjja e Boshnjakëve, në Suhodoll, Gushavcë, Kushtovë dhe Qabër që funksionojnë për automjete. Edhe kjo urë do të kishte qenë shumë mirë që të hapet sa më shpejtë sepse nuk do të ketë atë funksionin krucial siç e mendojnë shumë. Janë vetëm dy korsi nga Lagjja e Boshnjakëve dhe nga Lagjia e Suhudollit, pasi në anën e drejt e ke sheshin…Organet e sigurisë të Republikës së Kosovës e vlerësojnë se kur është momenti i duhur. Kur të vlerësojnë momentin e duhur ata do të thonë atë, por me shpresën se do të koordinohen dhe do të gjejnë zgjidhjen më të thjeshtë. Kjo urë duhet të hapet pa asnjë pompozitet se tek e fundit është vetëm një urë që do të lidh njerëz”, thekson Dashevci.
Kurse, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, deklaron për KosovaPress se kur të merret vendimi për hapjen e urës së Ibrit për qarkullim për vetura do t’i marrin masat e nevojshme.
Ai shton se bashkëpunimin me KFOR-in dhe EULEX-in e kanë shumë të mirë.
“Ne nuk kemi ndonjë i informacion se kjo urë është duke hapur tash. Në rast se merret ndonjë vendim dhe vjen vendimi përmes hierarkisë komanduese atëherë do t’i marrim masat e nevojshme….(Bashkëpunimi me KFOR dhe EULEX) Shumë i mirë, ata janë partnerët tonë. Edhe KFOR që i kemi edhe në kufijtë e vendit dhe EULEX që ishin duke monitoruar dhe mbikëqyrë punën tonë”, thekson Elshani.
Në Mitrovicë të Veriut të enjten është mbajtur debati për hapjen e urës mbi lumin Ibër, që po kundërshtohet nga serbët lokalë dhe bashkësia ndërkombëtare.
Në debat morën pjesë përfaqësuesit e kësaj komune dhe ata të Qeverisë së Kosovës, mirëpo ishin një numër i vogël i qytetarëve serbë.
Pjesëtarët e komunitetit serb në veri dje protestuan pranë urës së Ibrit për të kundërshtuar hapjen e së njëjtës.