Haraçinasit rrëfejnë pse e votuan LSDM-në (VIDEO)

“Vota për partinë opozitare maqedonase ishte një ndëshkim për partitë shqiptare sepse nuk kanë punuar për këtë vend. Këtë na e thotë, Abdullah Demiri një mjeshtër i gomave në Haraçinë. Sipas tij, shumë banorë kanë pasur arsyet e tyre që nga pakënaqësia ndaj partive shqiptare, të votojnë LSDM në zgjedhjet e 11 dhjetorit.

“Nuk kanë punësuar, asnjë nëpër puna dhe vet kryesia dhe disa persona që kanë lidhje punësohen. Këtu në Haraçinë nuk ka punësime tjera dhe vet kryesia e Ali Ahmetit dhe kryesia e Haraçinës e kanë bërë punën për me votu për Zoran Zaevin dhe i vetmi jam unë BDI që i kamë votu. Dhe këtë dështim e ka bërë partia e vet e ka bërë”, thotë ai.

Sikur Demiri, edhe Skender Alimi nga kjo komunë thotë se arsyeja se përse ka votuar Zaevin është premtimi për zbardhjen e rasteve “Monstra”, “Sopoti” dhe raste të tjera që siç thotë dyshohen si procese të montuara. Por, Alimi thotë se do të jetë personi i parë që do të punojë kundër LSDM-së, nëse Zaev nuk e mban fjalën e dhënë.

“Haraçina dëshiron që të del e vërteta e rastit “Monstra” dhe e Lagjes së Trimave. Na është premtuar se do të ketë rigjykim edhe për Lagjen e Trimave. Na e ka premtua këtë Zoran Zaevi. Po edhe ky, në qoftë se, ky kryeministër i ri, nuk punon për popullin, unë ka me qenë ai që do të kthehem kundër tij”, tha ai.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2014, LSDM në Haraçinë kishte vetëm 8 vota. Ndërsa kthesa e madhe për këtë parti ndodhi në zgjedhjet e 11 dhjetorit, ku fitoi 2052 vota, duke lënë prapa të gjitha partitë e tjera. Në këtë komunë, partia e dytë u radhit BDI me mbi 1400 vota të fituara, BESA me mbi 790 vota, Aleanca për Shqiptarët me mbi 720 vota dhe VMRO-DPMNE me vetëm 15 vota.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu