Kongresi i PDSH-së nuk do të mbahet para muajit mars. Alsat M mëson se Menduh Thaçi nuk do të garojë përsëri për postin e të parit të partisë.
Sekretari i përgjithshëm i PDSH-së, Azem Sadiki nuk deshi te ndajë më shumë informacione rreth organizimit të kongresit dhe kandidatëve të mundshëm për kryetar të partisë. Sadiku shkurt njoftoi se deri tani të gjitha degët e partisë kanë mbajtur mbledhje ku kanë analizuar rezultatin e zgjedhjeve të 11 dhjetorit.
Si emra të mundshëm për të marr timonin e PDSH-së, përmenden ish deputeti Imer Aliu, nënkryetari i partisë Bardhyl Dauti dhe sekretari i përgjithshëm Azem Sadiku. Deputeti i deritanishëm, njëkohësisht nënkryetari Orhan Ibrahimi duket të jetë jashtë loje në tentativat për ristrukturimin e partisë.
PDSH-ja në zgjedhjet e fundit ka shënuar rezultatin më të dobët në historinë e saj duke siguruar vetëm 2 mandate deputetësh në Kuvend. Përgjegjësinë për këto rezultate e mori Menduh Thaçi i cili dy javë pas zgjedhjeve dha dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryetarit të PDSH-së. Thaçi në krye të PDSH ka qëndruar që nga viti 2006.