Nga: Xhevdet POZHARI
Viti 2007, pas vdekjes së ish presidentit Ibrahim Rugova dhe përçarjes së LDK’së, rrjedhimisht ndarjes së saj në dy parti, ishte edhe fillimi i qeverisjes së PDK’së. Asokohe, kjo parti udhëhiqej nga Hashim Thaçi, dy herë kryeministër i Kosovës.
PDK, në vitin 2007 do të dilte bindshëm e para, me 196.207 vota (34.3%). Me 22,6% apo rreth 130 mijë vota, LDK si parti e dytë do të mbetej pas me rreth 66 mijë vota më pak, aq sa përafërisht kishin votuar për LDD’në, partinë e tretë.
Përçarja e LDK’së e kishte sjellë PDK’në në pushtet. Viti 2010 do ta sillte një konfiguracion të ri të forcave politike, por pa ndryshime sa i përket dy partive më të mëdha. Është viti kur Vetëvendosje garoi për herë të parë dhe u rendit si partia e tretë me rreth 90 mijë vota (12.69%). Sërish PDK me në krye Hashim Thaçin do të dilte e para me 224.339 vota të grumbulluara (32.11%). E dyta u pozicionua me një diferencë të konsiderueshme LDK, me 172 mijë vota (24.69%).
Zgjedhjet e vitit 2014 e vunë në situatë partinë e parë, PDK’në e Hashim Thaçit që të grumbullojë partitë e vogla rreth vetes. Bashkë me një sërë koalicionesh ai arriti ta sigurojë edhe një mandat të kryeministrit me gjithsej 222 mijë vota (30.8%), aq sa grumbulloi koalicioni i prirë nga PDK-ja. Kështu Thaçi e sanoi dëmin që ia shkaktoi themelimi i Nismës për Kosovën. LDK filloi ta rimerr veten, sidomos pas zhbërjes së LDD’së. Kjo parti u pozicionua sërish e dyta me rreth 185 mijë vota (25.24%). Ndonëse diferenca midis dy vendeve të para ishte ngushtuar lehtazi, dallimi sërish ishte i thellë – mbi 5%. Edhe Vetëvendosje pas bashkimit me ish FER shënoi një ngritje të lehtë, u betonua si parti e tretë me rreth 100 mijë vota, 10 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e kaluara, apo 13.59%.
Në të gjitha këto cikle zgjedhore, AAK nuk arriti asnjëherë të përfundojë më shumë sesa me rreth 50 mijë vota, duke u pozicionuar herë si parti e herë si parti e katërt.
Viti 2017 do të sjellte një ndryshim drastik në skenën politike. Në krye të PDK’së ishte Kadri Veseli. Hashim Thaçi morri mbështetjen e nevojshme nga Parlamenti i Kosovës për t’u bërë president i shtetit. Ndonëse asnjë koalicion i udhëhequr nga Hashim Thaçi nuk e përfundoi mandatin deri në fund, megjithatë, ai ishte këmbëngulës që posti i kryeministrit t’i takojë PDK’së. E njëjta gjë nuk do të vlente për kryetarin e ri të PDK’së, Kadri Veseli. Me nënshkrimin e koalicionit parazgjedhor 5 min në 12:00, ai do ta shpëtonte partinë e tij që të mos kalojë në opozitë. Synim ishte ambicia e pakontrolluar e Ramush Haradinajt që të bëhet kryeministër. Ashtu edhe ndodhi, koalicioni PDK-AAK-NISMA dhe të tjerët grumbulloi 245 mijë vota (33.74%). Mirëpo, askush nuk e priste se këmbëngulja e Vetëvendosjes do të shpërblehej me dyfishimin e rritjes së saj. Tashmë, ajo ishte partia e dytë me 200 mijë vota (27.49%). Në vendin e tretë do të zbriste LDK e lënduar nga koalicioni qeveritar, me rreth 186 mijë vota që i morri edhe falë koalicioneve me parti të tjera.
Kadri Veseli, njëjtë si Hashim Thaçi dikur, e kuptonte rrezikun që i kanosej partisë së tij. Nëse përçarja e dikurshme e LDK’së ia kishte mundësuar PDK-së qeverisjen për tre mandate me radhë, kishte ardhur koha që të ndodhte përçarja e Lëvizjes Vetëvendosje. Ashtu edhe ndodhi! Kësaj partie do t’i përvetësoheshin mandatet nga PSD e Kaqusha Jashari, e cila zgjodhi që në krye ta ketë Shpend Ahmetin. Mirëpo, opinioni duket se e kishte të qartë këtë lojë të PDK’së, taktikë të cilën ajo e praktikonte sa herë që rrezikohej pushteti i saj. Nëse LDK kishte marrë tronditje të thella nga ndarja e saj, ndarja e Vetëvendosjes kaloi me më pak pasoja. Kjo për faktin se partia e sapoformuar assesi të arrijë ta bind opinionin se u ndanë nga Albin Kurti për çështje parimore. Në prapaskenë, dihej se kjo ishte lojë e pastër e PDK’së!
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare tashmë duken në horizont. Pas dështimit të kryeministrit Ramush Haradinaj që të shtojë 30 mijë veteranë mashtrues, thënë ndryshe 30 mijë votues me pagesë nga buxheti i Kosovës, PDK’ja ka kaluar në ofenzivë. Ajo është e vetëdijshme se një koalicion eventual parazgjedhor midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK’së, do të ishte fatal për të ardhmen e saj në qeverisje. E, derisa Albin Kurti ia ka shtrirë dorën e bashkëpunimit partisë së tretë, LDK’së, një krah i saj – që përflitet se kontrollohet nga PDK, i reziston këtij bashkimi. Kjo pak a shumë i përshtatet edhe “durimit” të kësaj partie që ta presë me pasivitet momentin e saj, e bindur se elektorati i saj është i mësuar me koalicionimin e saj me PDK’në. Por, një strategji e tillë nuk është larg mendsh së mund ta irritojë Lëvizjen Vetëvendosje, e cila si duket e ka kuptuar se më nuk ka kohë për të humbur dhe se duhet të jetë pjesë e qeverisë ose aktivizmin e saj politik ta rikthejë vetëm në lëvizje jopolitike.
Lajkat, intrigat, zbrazja e Kosovës, identifikimi me opozitarizëm të përjetshëm, hezitimi i LDK’së, mund edhe ta detyrojnë këtë Lëvizje politike që të rimendojë veprimet e saj poltike në të ardhmen dhe të zgjedh që të kacafytet me PDK’në jo më nga opozita, por si hisedar i një qeverie që do ta udhëheqte Albin Kurti. Thellë në thelb, që të dyja janë parti të majta! E, ky do të ishte edhe fundi i Kadri Veselit që do të dështonte për herë të dytë të bëhet kryeministër! Dhe, Hashim Thaçi kur nuk do ta lëshonte këtë rast! Rrjedhimisht, PDK do të binte në gropën që tash e sa vite ua hap të tjerëve, si mundësi e vetme e mosdaljes së saj në opozitë.