Himni shtetëror, në shkollat e mesme?

Gjatë shënimit të patronatit, fillimit dhe përfundimit të vitit shkollor në shkollat e mesme të intonohet himni i shtetit. Kështu parasheh neni 54 paragrafi 3 i propozim ligjit për arsim të mesëm që kaloi në lexim të parë në Komisionin juridiko ligjvënës në Kuvend, shkruan Alsat.

Ministrja e Arsimit Janevska tha se intonimi i himnit nuk është obligative dhe për këtë vendosin themeluesit e shkollave të mesme, në këtë rast, komunat.

Në komunat si Çairi, Buteli, Saraji e komuna të tjera në Shkup, nuk vendosin komunat amë por Qyteti i Shkupit. Kjo do të thotë se nëse Qyteti i Shkupit vendos që të intonohet himni në shkollat e mesme në komunat e lartëpërmendura, kjo do të duhet të zbatohet.

“Ne si pjesëtarë të një shteti krenohemi me simbolet tona kombëtare, himnin, flamurin dhe stemën. Të gjithë që e ndjejnë këtë shtet si të tyren dhe të gjithë që konsiderojnë se duhet të punojnë për prosperitetin e këtij shteti, duhet t’i respektojnë simbolet e shtetit”, tha Vesna Janevska – Ministre e Arsimit.

Deputetja e Frontit Europian, Rina Ajdari tha se nxënësit shqiptarë nuk duhet ta kenë obligative intonimin e himnit, për shkak se e njëjta nuk përmban asnjë element të identitetit të tyre.

“Ne e respektojmë himnin e shtetit por kjo dispozitë i shton presionet ndaj nxënësve shqiptarë për faktin se në himnin e shtetit, nuk përmendet asnjë element i identitetit tonë kulturor. Për më tepër, kjo mund të krijojë një ndjesi të përjashtimit të nxënësve shqiptarë të cilët ndjehen më pak të përfshirë në kulturën shtetërore dhe shpesh herë kjo lë impakt negativ në ndjenjat e përkatësisë dhe identitetit”, u shpreh Rina Ajdari – Deputete FE.

“Nëse nuk doni ta intononi nuk e keni patjetër ta intononi. Por ju lutem të mendoni se në çfarë drejtimi duhet ti edukojmë fëmijët tanë për patriotizëm dhe obligimet që i kanë ndaj shtetit amë, ky është shtet i tyre, nesër ata do ta udhëheqin këtë shtet”, theksoi Vesna Janevska – Ministre e Arsimit.

Deputetja e Frontit Europian Rina Ajdari paralajmëroi amendamente ndaj këtij neni dhe neneve të tjera të ndryshimeve ligjore të propozuara./ Alsat.mk


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu