Asociacioni i hoteleve të Maqedonisë kërkon që të të formohet Ministri e posaçme për turizëm në qeverinë e ardhshme. Kryetari i asociacionit, Kërste Blazhevsi për Alsat -M thotë se duhet të ndiqet modeli i disa shteteve fqinje siç është Bullgaria ku tashmë me vite të tëra ekziston një ministri e këtillë.
“Mendoj se jemi vonë në këtë drejtim, duhej të bëhet më herët. Kjo ndoshta do t’u kushtojë, por sigurisht do të sjellë të ardhura më të larta në turizëm. E kemi propozuar dhe e kemi kërkuar deri më tani pasi është koha të bëhet. Janë krijuar kushtet që të formohet një ministri e turizmit, madje kishim takime me Agjencinë për zhvillimin e turizmit ku e njëjta u propozua dhe u theksua nga ana e tyre”, tha Kërste Blazheski, kryetarë i Hotam, njofton Alsat-M.
Sipas punonjësve të hoteleve, kjo do të përmirësonte komunikimin mes sektorit turistik dhe pushtetit qendror si dhe do të ndikonte pozitivisht në ekonominë e vendit.
“Gjithandej në Evropë, në Kroaci dhe Serbi ka ministri për turizëm, por edhe ne si hotelier edhe qyteti duhet të jemi më të aftë që të tërheqim më shumë turist dhe t’u ofrojmë më shumë kushte atyre”, tha Musa Rashid, pronar hoteli.
Kryetari i asociacionit të hoteleve në vend, thotë se është e domosdoshme që sa më shpejtë të formohet qeveri stabile dhe të tejkalohet situata politike në vend, për një sezon turistik sa më të begatë.