Hulumtim: Mijallkov zgjeron veprimtarinë e biznesit

Ish-zyrtari i lartë qeveritar nga kariera tash është bërë transportues i naftës. Rrjetin e tij të biznesit të naftës e gëzojnë fëmijët e tij si pronar, shokët e tyre si drejtor dhe persona nga familja e gjykatëses Sofija Llalliçiq.

Mediat për momentin luajnë rol të papërfillshëm në hulumtimin dhe zbulimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, kështu ka shkruar Komisioni Evropian në raportin për përparimin e Maqedonisë për vitin 2014. As raporti për vitin 2015 nuk ishte më i mirë, kur Komisioni përsëri konstatoi se përskaj korrupsionit të lartë, as organet e drejtësisë, e as mediat nuk janë të angazhuara për trajtimin e drejtë të kësaj të keqeje.

Mirëpo, publikimi i bombave dhe formimi i Prokurorisë Speciale Publike e vendosi korrupsionin nën reflektorin e opinionit. Ishte vështirë të injorohen keqpërdorimet e qarta, aq më tepër sa edhe makineria mediatike propagandiste për dy vite me radhë ishte e angazhuar ta shtrembërojë të njëjtën. Mirëpo, pavarësisht nga e gjithë kjo – korrupsioni më në fund u bë temë kryesore në shoqërinë e Maqedonisë.

Ky rrëfim nuk është rrëfim për prezencën e korrupsionit në mediat, por për rreziqet që i kanosen një shoqërie çdo herë kur është larg nga sytë e opinionit. Ky rrëfim është për atë se derisa vendi bën orvatje të gjejë perspektivë në kohë të errët politike siç është rrahja e deputetëve në Kuvend, individë të caktuar që kanë akumuluar fuqi, punojnë në agjendat e tyre që ta materializojnë atë fuqi.

I liruar nga detyrimet e funksionit shtetëror të cilin e zbatoi për dhjetë vite, kështu që pronën duhej ta fshehë në Pragë dhe t’i regjistrojë kompanitë me emra tjerë, kur në shtet sundon kaosi, ish shefi i inteligjencës së Maqedonisë, Sasho Mijallkov e zgjeron biznesin me naftë. Dokumentet nga institucionet shtetërore deri te të cilat arriti NOVA TV tregojnë se familja Mijallkov pas marrjes së liçencës për tregti me naftë, kanë hapur kompani të re për transport, njofton Portalb.mk.

Hapin e parë në biznesin e naftës e bëri Jordan Mijallkov, i biri më i madh i kundërzbuluesit të mëparshëm. Me veprimtari – ndërtimtari, kompania “Best way investment” ishte e regjistruar në shtator të vitit 2015, në kohën kur partitë politike bënin marrëveshje për zgjedhje të parakohshme në Përzhinë.

“Best way investment”nuk ka fare aktivitete deri më 5 janar të këtij viti, kur nga Masar Omeragiq, për 5000 euro e blen kompaninë “Ompetrol oil”, e cila veçmë ka leje për tregti me naftë dhe marrëveshje për qira të tankut nëntokësor me “RT Translogistik”, pronare e të cilës është Sabeta Omeragiq. Përndryshe, Masar Omeragiq është familjar i gjykatëses Sofija Laliçiq, emrin e të cilës kishim mundësinë ta dëgjojmë në bombat. Në bisedën të cilën e prezantoi opozita e atëhershme, Mijallkov i tregon Laliçiq se është e zgjedhur si gjykatëse në Gjykatën Penale.

Më 18 prill të këtij viti, nën titullimin “Shoqata për transport, tregti dhe shërbime Point Oil Petrol”, në Regjistrin Qendror është hapur kompani për transport dhe tregti me naftë. Pronari i kësaj kompanie është “Makpoint”, e hapur në vitin 1993, ndërsa pronari i saj është Sasho Mijallkov.

“Point Oil Petrol” është kompania e dytë nga kjo veprimtari e familjes Mijallkov. Është e regjistruar me kapital themelor prej 203.205 euro dhe për një kohë të gjatë nuk ka qenë aktive. Gjërat filluan të ndryshojnë kur Mijallkovi dha dorëheqje nga pozita e Drejtorit të policisë sekrete.

Me “Ompetrol oil” pajiset tanku për magazinimin e naftës, derisa me kompaninë “Point Petrol Oil” mundësohet transporti.

Kompanitë e regjistruara në adresë të institucionit shtetëror

Dy kompanitë e familjes Mijallkov janë të regjistruara në Debar Maallo, në rrugën Orce Nikollov 71/1, në adresën e njëjtë me Drejtorinë për rezerva të detyrueshme të naftës dhe derivateve të naftës dhe Agjencinë për rezerva të mallrave.

NOVA përmes servisit për informata në numrin e telefonit 188 tentoi ta merr numrin e telefonit të kompanisë të regjistruar në këtë adresë. Nga atje na thanë se regjistrimin e vetëm të numrit e ka Agjencia për rezerva të mallrave, por sidoqoftë, e kërkuam numrin në rast të gabimit. U paraqitëm në numrin që na e dhanë nga shërbimi i informatave dhe kërkuam të na lidhin me “Point Oil Petrol” ose me “Best way investment”. Vajza e cila na u përgjigj në telefon, tha se lajmërohemi në Agjencinë për rezerva të mallrave, dhe se kompani të tilla nuk ekzistojnë në atë adresë./Portalb.mk)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu