Identitete në krizë, shqiptarë të humbur

Jetojmë në një kohë të turbulencave të mëdha; në një kohë të pasigurisë dhe paqartësive të mëdha. Kohë këto që shkaktojnë stres, hidhërime dhe dyshime brenda secilit intelektual. Kohë në të cilën shqiptarët përballen me dilema të cilat për mua kanë qenë të paimagjinueshme deri vonë, ose të paktën kam zgjedhur t’i bëj veshët shurdhër dhe sytë verbër para tyre deri sot. Ajo që më shumë rëndon është dilema e identitetit të cilën na e kanë imponuar disa faktorë të dyshimtë dhe akoma të padefinuar të një fryme proturke, e cila nën pretekstin e hyjnores islame pretendon të përhapë besimin që kjo hyjnore vjen nga Anadolli dhe jo nga Zoti dhe si e tillë ardhmëria shqiptare është e lidhur edhe në mënyrë hyjnore me Anadollin dhe erdoganat e rradhës.

Paqartësitë e këtilla fryhen akoma më shumë nga paqartësitë politike të imponuara nga disa politikanë laperë të papërgjegjshëm përvec për interesat e klaneve të tyre kriminale që po sundojnë me popullin shqiptar në të trija shtetet tona: Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Nëse politikanët janë pasqyrimi i një populli sepse nga vota e tij dalin dhe zgjidhen, pra janë shprehje e vullnetit të tij, ne shqiptarët duhet të jemi një popull i kriminalizuar dhe i korruptuar në thellësi. Të ndarë në shumë shtete si pasojë e rrethanave dhe zhvillimeve historike, sikur përvec gjuhës na bashkon edhe dëshira për t’u korruptuar dhe për të punuar sa më pak që mundemi dhe të jemi të suksesshëm në bazë të aftësive korruptive kriminale dhe tendencave tjera të dëmshme për autodestruktivitet. E gjithë kjo situatë krijon në individin shqiptar frustrim i cili në anën tjetër bie pafuqi dhe humbje vullneti, pasojat e të cilave janë paimagjinueshmërisht të dëmshme sepse mbysin atë veti tonën shqiptare që na ka karakterizuar përgjatë gjithë historisë sonë: dëshirën dhe nevojën për liri nga mizoriteti i politikanëve sundues dhe nga padrejtësia.

Nga ajo që dëgjoj dhe vëzhgoj dita ditës kudo që kthehem kam filluar të mendoj që ne shqiptarët nuk paskemi qenë ai popull i zgjedhur dhe i vecantë sic më mësonte babai im derisa ishte gjallë. Bile nëse politikanët janë pasqyrimi i një populli duhet të mendoj që nuk jemi i njejti popull me atë popull që nxorri në dritë Skënderbeun, Nënën Terezë, Ismail Kadarenë, familjen Frashëri, Faik Konicën dhe Fan Nolin. Ata shqiptarë duhet të kenë qenë të një race dhe lloji të posacëm shqiptarësh; duheshka të kenë qenë pasardhës direktë të ilirëve dhe pellazgëve që banuan dhe lulëzuan në Ballkan mijëra vjet përpara të gjithë kombeve dhe feve.

Nuk është e mundur që i njejti popull të tolerojë politikanë që instrumentalizojnë tregtinë e drogës dhe përvetësojnë mbeturinat e mbarë Europës sic po ndodh në Shqipëri. Nuk është e mundur që i njejti popull të tolerojë politikanë si ata të Kosovës që pështyjnë mbi gjakun e dëshmorëve dhe viktimave të terrorit serb dita ditës dhe të aktrojnë sikur kjo që po e bëjnë qenka politikë europjaneske. Aq më e pakuptimtë më duket teksa shoh shqiptarët e Maqedonisë të urtë dhe të disciplinuar përpara një mekanizmi shtetëror të egër si ai maqedon që synimin kryesor e ka zhdukjen dhe spastrimin e tyre, me politika të dukshme diskriminuese të cilat ratifikohen dhe pranohen nga politikanët kukulla shqiptarë në qeveri dhe në parlament.

Dicka duhet të ketë shkuar gabim kur Zoti ka “koduar” këta shqiptarë kur i paska bërë kaq dembelë përpara fatit dhe ardhmërisë së tyre. Dicka duhet të kenë bërë gabim gjeneratat e kaluara pwrderisa nuk na kanë indoktrinuar me shqiptarizëm të mjaftueshëm për t’ju thënë STOP frymave dehëse proturke të ngjyera me mjaltë dhe me helm, apo për t’jua treguar rrugën e daljes nga skena këtyre politikanëve sundues qw nuk dijnw vecse tw kriminalizohen duke na mveshur edhe neve petkun e nje populli te kriminalizuar./portalb.mk


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu