Pasi të dielën në Spitalin për sëmundje të fëmijëve ndërroi jetë një foshnje shtatëmuajshe, në këtë Klinikë është futur Inspektorati Sanitar-Shëndetësor për inspektim të jashtëzakonshëm, përcjell TV21. Drejtori i Inspektoratit Kiril Llazov thotë se rezultatet përfundimtare të kontrollit do të dihen nesër. E përveç Klinikës së Fëmijëve, drejtori i këtij inspektorati bëri të ditur se inspektorët janë duke kryer inspektime të jashtëzakonshme edhe në klinikat e tjera që ndodhen në kompleksin universitar-spitalor “Nënë Tereza”. Përndryshe Ministria e Shëndetësisë njoftoi se foshnja vdiq nga një sindromë e rëndë që preku shumë organe. Trupi i foshnjës është dërguar për autopsi.
“Gjatë ditës së sotme kam lëshuar urdhër për inspektim të jashtëzakonshëm në Klinikën për sëmundje të fëmijëve me të dhëna për foshnjën e vdekur shtatëmuajshe, e cila sipas drejtorit është sjellë me dëmtime të rënda në disa organe. Pas konstatimit të gjendjes faktike në pjesën e pranimit për trajtim, në fushën e indikimit të kujdesit shëndetësor, si dhe regjistrimin, supozojmë se gjatë ditës së nesërme do të dalim me të dhëna përfundimtare më konkrete”, tha Kiril Llazov, drejtor i inspektoratit sanitar & shëndetësor.