Instagram mposht TikTok-un si aplikacioni më i shkarkuar në botë

Instagram ka mposhtur TikTok-un si aplikacioni më i shkarkuar në botë pasi veçoria e videove Reels e ndihmoi atë të rikuperonte terrenin e humbur ndaj rivalit të tij.

Aplikacioni për shpërndarjen e fotove dhe videove fitoi popullaritet menjëherë pas debutimit të tij në vitin 2010, por është përballur me konkurrencë të ashpër nga TikTok.

Bëhet e ditur se Instagram është shkarkuar 767 milionë herë në mbarë botën në vitin 2023, një rritje prej 20 për qind, krahasuar me TikTok që është shkarkuar për 733 milionë herë.

Kompania Sensor Tower, tha se “ringjallja” e Instagram ka gjasa të jetë nxitur nga popullariteti i veçorisë së tij Reels, dhe funksioneve tjera, shkruan The Guardian.

Instagram ka gati 1.5 miliard përdorues aktiv mujor, ndërsa TikTok pak më shumë se 1.1 miliard.

Megjithatë, TikTok ka më shumë përdorues aktiv të cilët shpenzojnë mesatarisht 95 minuta në ditë duke përdorur aplikacionin.

Mark Zuckerberg, themeluesi i Facebook dhe shefi ekzekutiv i Meta-s, e ka identifikuar TikTok-un si një kërcënim serioz gjatë viteve të fundit.

Ndryshe, TikTok po përballet me kundërshtime serioze politike në SHBA mes shqetësimeve të vazhdueshme për pronësinë e tij kineze.

Ligjvënësit amerikanë dhe politikanët në botën perëndimore, janë të shqetësuar se shteti kinez mund të ketë qasje në të dhënat e përdoruesve të aplikacionit, pretendim ky që është mohuar vazhdimisht nga TikTok.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu