Ish-Kryeministri Berisha ka dhënë një intervistë për gazetën e Kosovës “Bota Sot” me rastin e 28 Nëntorit duke folur për raportet e tij me Kosovën dhe politikanët e Kosovës si edhe kërcënimet që i vijnë sipas tij sovranitetit të shtetit të ri nga Serbia.
“Bota sot”: Z. Berisha, si po i gjen shqiptarët ky 28 nëntor?
Sali Berisha: Së pari përfitoj nga rasti t’u uroj ju Mimoza, drejtuesve, gazetarëve, punonjësve, lexuesve të “Bota Sot” dhe mbarë shqiptarëve; Gëzuar 28 nëntorin, festën e flamurit dhe ditën e çlirimit të Shqipërisë!
Kjo ditë, që është dhe festa e të gjitha festave tona, i gjen shqiptarët të lirë dhe në përpjekje të vyera për ndërtimin e sistemit demokratik, integrimin europian dhe euroatlantik, gjen Kosovën në një proces negociatash me Serbinë, proces i një rëndësie jetike për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë.
Por, krahas kësaj, përsëri duhet thënë se kjo festë i gjen shqiptarët me probleme serioze. Së pari, Shqipërinë e gjen të shndërruar në Kanabistan, si rezultat i një politike pothuaj zyrtare, të papërgjegjshme të Qeverisë, që ka nxitur më shumë mënyra mbjelljen masive të kanabisit në mbarë vendin dhe që beson se me para droge do të zhvillojnë Shqipërinë.
Pas diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, shndërrimi i Shqipërisë në Kolumbinë e Europës, siç po e quajnë atë mediat e mëdha të botës, është goditja e dytë më e rëndë për imazhin ndërkombëtar të vendit tonë. Sot territori i vendit në të katër anët e tij është në kontroll direkt të qindra bandave të armatosura, roje të plantacioneve të kanabisit.
Përveç kësaj, kjo festë e gjen Shqipërinë në vendin, në të cilin krimi i organizuar, për shkak të lidhjeve të tij me nivelet më të larta të pushtetit, është vendimmarrësi më i fuqishëm i vendit.
Ai bën ligjin në rrugë, institucione, parlament, ministri, kryeministri dhe kudo. E gjitha kjo sepse, në trashëgiminë politike të Edi Ramës, për etërit e tij shpirtëror krimi që “duhej”, që “ndihmonte për mbajtjen e pushtetit” ishte i dobishëm madje dhe i admirueshëm për aktet e tij!
Krimi i lidhur me pushtetin iu garanton pushtetarëve atë që ligji nuk u’a lejon, pushtetin e pakufizuar, ata realizojnë nëpërmjet tij pushtetin pa kufij! Por përveç këtyre, dramatike është se kjo festë i gjen shqiptarët duke u larguar masivisht nga Shqipëria.
Këto dy vite, rreth 100 mijë, shumë prej tyre shtresë e mesme, u larguan nga vendi, kërkuan azil politik në Gjermani dhe vende të tjera të BE-së. Ndërkohë që, sipas Zyrës Federale të Azilit në Gjermani, në vitet 2011-2012, të marra së bashku, gjithesej vetëm 434 qytetarë nga Shqipëria kërkuan azil politik në Gjermani.
Kurse vetëm në shtatorin e vitit të kaluar, në Gjermani kërkuan azil politik 8300 qytetarë nga Shqipëria.
Shqiptarët kremtojnë këtë festë pasi Edi Rama dhe qeveria e tij, ndonëse kishin të gjitha mundësitë, nuk plotësuan kushtet e caktuara nga BE-ja për hapjen e negociatave dhe hapja e tyre shtyhet, së paku, me dy vite të tjera. E tëra kjo sepse pushteti dhe pasurimi personal ishin përparësitë absolute të tij dhe qeveritarëve të tij!
Në Kosovë, probleme serioze lidhen me moszbatimin e marrëveshjeve nga Serbia, me një ngadalësi në procesin e integrimin të saj në BE, por dhe të njohjeve të saj të domosdoshme për anëtarësimin e OKB si dhe me ngerçin institucional në parlament etj.
Në Maqedoni, shqiptarët gjenden para një albanofobie, për mendimin tim, në rritje dhe të rrezikshme për stabilitetin e vendit dhe para mungesës së vullnetit nga Komiteti Ndërkombëtar për t’u angazhuar në çështjet e krizës ndëretnike në këtë vend, që është dhe kriza kryesore dhe më e rrezikshme në Ballkanin Perëndimor, e cila gjykoj se kërkon pa humbur kohë amendimin e Marrëveshjes së Ohrit, shtrirjen e mekanizmit Badinter në vendimet e qeverisë si dhe decentralizimit apo federalizimit të këtij vendi.
Ndërkohë, shqiptarët në Preshevë, Bujanovcë dhe Medvegje përjetojnë diskriminim tejet të thellë. Përveç këtij diskriminimi serb, ato dëmtohen edhe nga kundërshtitë e forta të brendshme, që dobësojnë dhe nuk forcojnë zërin e tyre.
Shqiptarët në Mal të Zi, me gjithë progresin thelbësor që kanë njohur, përsëri atyre ju mohohet e drejta e Komunës së Tuzit. Së fundi ka një lajm pozitiv dhe urojmë që të bëhet realitet.
Edhe këtu kundërshtitë e forta të brendshme midis shqiptarëve pjestojnë, si të thuash, forcën e pushtetit të tyre. Me gjithë këto vështirësi, dhe të tjera që nuk i rendita shpresoj dhe uroj që kahja pozitive të mbizotërojë për ne.
“Bota sot”: Si ka ecur bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë ndër vite?
Sali Berisha: Mendoj se bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë ecën dhe zhvillohet, por duhet të kishte ecur shumë më shpejt. Ky bashkëpunim është natyral, pra proces i pandalshëm, i parikthyeshëm por çështja është si të shpejtohet, si të kapërcehen sa më shpejt pengesat në rrugën e këtij bashkëpunimi.
Duhet të pranojmë se pengesa kryesore për këtë bashkëpunim kanë qenë dhe janë: Së pari, trashëgimia 50 vjeçare komuniste, gjatë të cilës, jo bashkëpunim por ndarje dhe mosbashkëpunim, ishin ligj. Së dyti, një përpjekje e padrejtë, pas çlirimit të Kosovës, e Komitetit ndërkombëtar, për të ngadalësuar sa më shumë këtë bashkëpunim.
Fakt është se, deri sot, edhe pas 16 vitesh të çlirimit të Kosovës, në bashkëpunimin midis dy vendeve në tërësi, nuk ekziston asnjë projekt i përbashkët, i financuar nga komuniteti ndërkombëtar, përveçse linjës së ndërlidhjes energjitike, të projektuar dhe financuar nga qeveria gjermane para vitit 2013, dhe që tani që ka përfunduar po e mban peng Serbia duke kërkuar në shkëmbim, cënimin e sovranitetit të Kosovës dhe penguar kështu bashkëpunimin rajonal.
Së treti, një pengesë e madhe, tejet serioze në bashkëpunimin midis dy vendeve ishte dhe mungesa e infrastrukturës lidhëse ndërmjet dy vendeve. Vetëm pas vitit 2005 u ndërtua infrastruktura moderne rrugore, në të gjitha vend kalimet midis dy vendeve.
Por, kjo infrastrukturë rrugore, duhet me çdo kusht të ndiqet nga infrastruktura moderne hekurrudhore. Hekurudha Milot-Prizren, apo Tiranë-Prishtinë, duhet të jetë projekti i të gjitha projekteve infrastrukturore midis dy vendeve.
Kjo hekurudhë është jetike për dalje të lirë të Kosovës në det për transportin e mallrave. Kjo linjë ka rëndësi të madhe për rajonin, kompletimin e korridorit shqiptar, që është dhe korridori rajonal më fizibël. Me ndërtimin e kësaj hekurudhe, Shqipëria përfiton gjithçka buron nga pozicioni gjeo-strategjik i saj.
Korridori shqiptar, hekurudha, autostrada etj, do shndërrojnë portet e Shqipërisë në portet më të rëndësishme të rajonit tonë. Por, dua të theksoj se marrëdhëniet aktuale Shqipëri – Kosovë po i dëmtojnë disa qëndrime të bazuara në mentalitete, de-konsiderata të vjetra atërore të Edi Ramës ndaj Kosovës. Për udhëheqjen e vjetër komuniste, të instaluar në Tiranë nga Beogradi, që nga themelimi i PKSH nga serbët Popoviçi dhe Mugosha, dhe vendosja nga ana e tyre më vonë e Enver Hoxhës në krye të saj, Kosova gjithnjë ishte një çështje e tradhëtuar.
Shqiptarët, mjerisht nuk njohin historinë e tyre. Nënshtrimi i udhëheqjes politike të Tiranës ndaj Beogradit, u ka kushtuar tmerrësisht shtrenjtë shqiptarëve në tërësi dhe Kosovës në veçanti.
Kur shikon disa qëndrime të Edi Ramës që, njëlloj si etërit e tij, ka shndërruar Beogradin përsëri si dikur në Mekën e të majtës shqiptare, nuk mund të presësh asgjë tjetër prej tij, përveçse përçarje në çdo hap.
Duke thënë këto, sqaroj se mbështes plotësisht përpjekjet për bashkëpunimin normal midis Shqipërisë dhe Serbisë, natyrisht jo në dëm të Kosovës.
Shqipëria në asnjë rast nuk mund të marrë monopolin e marrëdhënieve shqiptaro – serbe duke shmangur, anashkaluar Kosovën. Jam i bindur se një qëndrim i tillë u shërben ambicieve dhe qëllimeve serbe por jo normalizimit të marrëdhënieve shqiptaro – serbe.
“Bota sot”: Cili është komenti juaj rreth debatit Shqipëeri-Kosovë?
Sali Berisha: Sot, ky është një debat qesharak, banal i njerëzve të cilët, kur nuk japin dot në fushën e vlerave, angazhohen me të gjithë ligësinë, injorancën, perversitetin e mendimit, në riciklimin e një pikëpamjeje të vjetër të përpunuar në ish-Jugosllavi nga pushtuesit e Kosovës..
Argumentat e tyre mjerane, që shkojnë edhe tek fiset ilire, dëshmojnë qartë padijen, defiçitin e madh që kanë në njohuritë për gjenezën, formimin dhe zhdukjen e kombeve në tërësi si dhe për gjenezën e kombit shqiptar, ADN-në e identitetit të tij.
Këta dhe debati i tyre janë pa të ardhme dhe, në këtë kontekst, nuk ia vlen të ndalesh në këtë debat. Ideja e kombit kosovar është një produkt i vjetër i racizmit antishqiptar dhe albanofobisë.
Serbët, provuan dhe dështuan në projektin e shfarosjes së shqiptarëve nga trojet e tyre mijëravjeçarë në Kosovë dhe treva të tjera, me gjenocidet që kryen ndaj tyre gjatë luftërave ballkanike dhe në vitet 1945-1947.
Millosheviçi, në vitet 90 të shekullit që shkoi, do t’i deklaronte gjeneralit Ëesley Clark se “vramë e vramë dhe do t’i vrisnim të gjithë shqiptarët por ju nuk na latë”. Pas këtij dështimi ata përpunuan nocionin e ndarjes së kombit tonë në shqiptarë dhe kosovarë, dhe të gjuhës tonë në gjuhë shqipe dhe kosovare, pra gjuhe të kombit kosovar.
Qëllimet ishin shumë të qarta. Meqënëse identiteti i shqiptarëve është i bazuar në gjuhën, kulturën e tyre, atëherë operacionin duhet t’ja u bëjmë pikërisht në ADN-në e gjuhës dhe kulturës, në mënyrë që t’i klonojmë.
Kështu, e shkëpusim nga trungu kombin kosovar dhe pastaj e dimë ne se si do t’a transfigurojmë atë, pra, fillimisht nga shqiptarë në kosovarë, dhe më pas nga kosovarë në hiç.
Me suksesin e këtij projekti racist albanofob, do arrihej që pushtuesit e Kosovës nuk do kishin të bënin më me 6 milionë shqiptarë vazhdimësi etnike dhe gjeografike kudo që ndodhen, por me më pak se dy milionë kosovarë dhe, dora – dorës do u rezervonin atyre vdekjen e ëmbël, zhdukjen e tyre nga faqja e dheut. Ndaj dhe mund të thuhet se çdo njëri që i lejon vetes të flasë për komb kosovar, është një individ me ADN dhe identitet shqiptar të denatyruar dhe ky është një fenomen, sado tejet i kufizuar, por real.
Shqiptarë me gjak shqiptari të denatyruar, dhe që gjallojnë me gjakun e kombit që i kanë falë shpirtin, si këta ka patur, ka dhe do të ketë, dhe jo vetëm tek ne por edhe tek kombet e tjera.
Kështu që, papagajtë e kombit kosovar janë thjeshtë një grup mjeranësh kudo që janë, në Prishtinë dhe Tiranë, me identitet të denatyruar dhe që kanë zgjedhur të mbijetojnë me gjak serb, sepse ashtu ndjehen më të lumtur.
Bazuar në këtë koncept, këta janë zelltarët më të mëdhenj të falsifikimit vulgar të historisë së kombit dhe në këtë funksion, ato fabrikojnë nga mëngjesi deri në darkë, mashtrime, trillime dhe fallsifikime. E kanë bërë këtë nën pushtimin serb apo diktaturën e Enver Hoxhës, e bëjnë tani në liri, duke faktuar se kanë mbetur skllevër të së shkuarës së tyre.
“Bota sot”: A duhet të bëhet edhe më shumë, sa i përket marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë?
Sali Berisha: Midis Shqipërisë dhe Kosovës nuk ekziston një bashkëpunim ekonomik intensiv. Rezultatet e deritanishme janë modeste. Këtë e faktojnë statistikat e investimeve dhe shkëmbimeve të mallrave të ndërsjellta.
Krijimi i një hapësire ekonomike të përbashkët Shqipëri – Kosovë duhet të jetë përparësia madhore e qeverive të dy vendeve. Në këtë drejtim është e domosdoshme njësimi i të gjitha ligjeve, praktikave, të drejtave, detyrimeve të qytetarëve në të dy vendet, heqja e doganave apo zbatimi i modelit europian Slloveno-Austriak të doganave, të cilën ne po përgatiteshim ta vendosnim.
Për krijimin e një hapësire ekonomike të përbashkët, duhet vendosja e niveleve tatimore të njëjta, praktikave identike në çeshtjet e pronësisë, investimeve si dhe shfrytëzimi i përbashkët i potencialeve energjitike, turistike të dy vendeve. Të gjitha këto do bëjnë të mundur krijimin e tregut shqiptar unik dhe dyfishimin e fuqisë së tij.
Bota sot”: Çka duhet bërë më tepër, në mënyrë që eksportet serbe të mos e përmbytin ekonominë e Kosovës, si mund të orientohemi kah eksportet e Shqipërisë?
Sali Berisha: Mendoj, se rruga kryesore është rritja e kompetitivitetit dhe prodhimit në Shqipëri dhe Kosovë. Potencialet e Shqipërisë dhe Kosovës në këtë drejtim janë shumë të mëdha, të marra së bashku ndofta dhe më të mëdha se sa të Serbisë.
“Bota sot”: A jeni të kënaqur me bashkëpunimin në arsim dhe shkencë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë?
Sali Berisha: Mendoj, se hapa të rëndësishëm janë bërë në fushën e arsimit, kurse në fushën e shkencës ky bashkëpunim është i pakët. Sidoqoftë, në të dy fushat, në tërësi bashkëpunimi është modest dhe ka mundësi të mëdha zgjerimi.
Duhet të vazhdohet me unifikimin e kurrikulave në të gjitha ciklet e arsimit, fondet për shkencën duhet të jenë njëlloj të hapura për studiuesit e dy vendeve, duhet të inkurajohen programe dhe projekte të përbashkëta kërkimore, madje tërësisht të hapura dhe për shqiptarët e trevave të tjera dhe të emigracionit dhe diasporës.
Në këtë drejtim, do të thoja se kënga dhe muzika prijnë, janë frymëzuese për të gjitha fushat e tjera të artit dhe kulturës.
“Bota sot”: Sa janë duke bërë Shqipëria dhe Kosova për avancimin e çështjes shqiptare në Maqedoni, Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi?
Sali Berisha: Mendoj, se të dy vendet po bëjnë pak, dhe kjo apati në qëndrimin ndaj shqiptarëve të trevave të tjera duhet të marrë fund.
Qeveritë e dy vendeve duhet të bëjnë gjithçka dhe pa asnjë kompleks, që shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre në vendet fqinje, të gëzojnë liritë dhe të drejtat që iu garantojnë atyre kushtetutat e këtyre vendeve, konventat ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat e njëriut dhe minoriteteve që kanë firmosur këto vende.
Gjykoj, se është e domosdoshme që të dy qeveritë të ndajnë fonde të veçanta për të ndihmuar dhe investuar në infrastrukturën bazë në këto zona, siç bëjnë të gjitha qeveritë e rajonit.
Kështu psh, është i papranueshëm qëndrimi i dy qeverive, mungesa e solidaritetit nga ana e tyre me banorët e lagjes së Trimave në Kumanovë, të cilëve, autoritetet maqedonase, në një përpjekje kriminale për t’i spastruar nga Kumanova, ju shkatëerruan atyre me tanke, murtaja e granat hedhësa, shtëpitë.
Rindërtimi i shtëpive të shkatërruara dëshmonte jo vetëm solidaritetin vllazëror ndaj tyre por do ishte dhe një sinjal i fortë se nuk do pranohet asnjë praktikë e spastrimit të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre.
“Bota sot”: Si i komentoni zhvillimet në Kuvendin e Kosovës, sa i përket marrëveshjes për kufirin me Malin e zi e cila ka një vit që nuk po ratifikohet?
Sali Berisha: Unë, duke qëndruar me dëshirë në anën e opozitës, sepse edhe vetë jam opozitë, kam qënë, jam dhe do mbetem kategorik kundër bombave të gazit dhe dhunës në Kuvendin e Kosovës, me bindjen më të thellë se këto dëmtojnë shumë imazhin, njohjet ndërkombëtare dhe investimet në Kosovë.
“Bota sot”: Nga këndvështrimi juaj, a pati ndonjë gabim në përcaktimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi?
Sali Berisha :Nuk mund të them, se pati ndonjë gabim në përcaktimin e vijës së kufirit, pasi deri para pak kohësh, në dijeninë time, përveç deklaratave, ankesa konkrete me dokumenta nuk ka patur.
Së fundi, një përfaqësi e komunitetit të Rugovës, që është dhe kufitar me vijën e kufirit ka paraqitur një peticion në qeveri. Uroj që qeveria të shqyrtojë këtë peticion. Me këtë rast, theksoj dhe një herë se e vërteta e hidhur është se, vijat e kufirit të Kosovës, përveçse me Mitrovicën e Veriut, bie në toka e territore shqiptare të banuar nga shqiptarë. Kështu që, në çdo ndarje një problem del.
Por këtu duhet parë se cila vijë ndarje përdoret si referencë për demarkacionin. Departamenti i Shtetit, ka deklaruar se vija e demarkacionit është përcaktuar me korrektesë..Opozita mund t’i kërkojë qeverisë amerikane vlerësimin e saj dhe dokumentacionin përkatës. Unë besoj se ai është objektiv dhe i paanshëm.
“Bota sot”: Pse Qeveria Shqiptare nuk u deklarua sa i përket kësaj marrëveshjeje?
Sali Berisha: Unë nuk e di përse Qeveria shqiptare nuk është prononcuar për këtë marrëveshje. Ndofta, ka preferuar që në heshtje të duket si neutrale por ne fakt mbështetë njërën palë.
“Bota sot”: Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mos kenë liri të lëvizjes, sipas jush kush po e pengon liberalizimin e vizave për Kosovën?
Sali Berisha: Ky është një diskriminim i pa merituar dhe lëndues që iu bëhet qytetarëve të Kosovës. Në bindjen time Kosova plotëson, madje ka plotësuar prej kohësh, edhe para Serbisë, kushtet për liberalizimin e vizave. Por këtu mesa duket ndërhynë, ndofta edhe për llogari të Serbisë, ndonjë nga vendet që nuk ka njohur Kosovën.
“Bota sot”: A duhet t`u njihet qytetarëve të Kosovës e drejta për të pasur pasaportë të Republikës së Shqipërisë?
Sali Berisha: Mendoj se po, por dhe anasjelltas. Për këtë është e domosdoshme që të dy vendet e pavarura, mbi bazën e një marrëveshjeje midis dy qeverive, pas heqjes së vizave të Kosovës me BE-në, të zgjidhin përfundimisht problemin e shtetësisë.
Theksoj këtu mbi bazën e një marrëveshje, sepse kjo tani nuk mund të bëhet me vendime të njëanëshme, sikundër kjo marrëveshje, për arsye të njohura nuk mund të hyjë në fuqi para liberalizimit të vizave me Kosovën nga Bashkimi Europian.
Çdo shqiptar, pavarësisht ku banon, në Shqipëri apo në Kosovë ose në treva të tjera, duhet të ketë të drejtë të marrë shtetësinë që do apo të marrë dyshtetësinë, pra të Shqipërisë dhe Kosovës.
Aktualisht për të gjithë shqiptarët e tjerë me banim jashtë territorit të Kosovës, një vendim i qeverisë së mëparëshme iu njeh atyre të drejtën e shtetësisë dhe pasaportës shqiptare.
Edi Rama, sapo erdhi në pushtet nuk anulloi por bllokoi vendimin për shtetësinë. Ai për këtë çështje madhore ka një qëndrim albanofobik. Me sa kuptoj ai ka frikë shumë nga dominimi elektoral i pakthyeshëm kundër të majtës në Shqipëri.
Unë nuk kam asnjë kompleks nga kjo. Por, në rast se i japim përgjigje problemit të shtetësisë, atëherë përkohësisht për disa ekuilibra të brendshme, mund të përdoren praktikat e njohura të proporcionalitetit të zbatuara edhe nga vende të tjera.
Shtoj, këtu se fobia e tij me motive elektorale po iu mohon të drejtën e votës emigrantëve dhe shqiptarëve të diasporës nga Shqipëria.
“Bota sot”: Si mund të arrihet deri tek bashkimi kombëtar?
Sali Berisha: Bashkimi kombëtar i shqiptarëve duhet pranuar si një proces evolutiv, në bindjen time i pashmangshëm.
Këto ditë, një ish zyrtar i lartë i diplomacisë amerikane, Christopher Hill deklaroi, në një intervistë në Shqipëri se ishin shqiptarët vet (fjala për dekadën e fundit të shekullit që shkoi) që nuk donin bashkimin. Ai tha të vertetën.
Beteja e shqiptarëve dekadën e fundit të shekullit që shkoi, ishte për lirinë, pavarësinë e Kosovës dhe jo për bashkimin kombëtar.
Mbi bazën e kësaj platforme, ndonëse nën pushtim, u shpall pavarësia e Kosovës nga presidenti Rugova, u zgjodhën institucionet drejtuese dhe u ndërtua pushteti paralel i shqiptarëve.
Në Shqipëri, Partia Demokratike u themelua si parti e interesit kombëtar, mund t’ju them si parti e idealit të bashkimit kombëtar.
Unë isha rritur, formuar jo me ëndrrën e pavarësisë së Kosovës por atë të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Per mua, në koshiencë dhe subkoshiencë Kosova ishte vetëm një krahinë e pushtuar e Shqipërisë, që duhej çliruar.
Por, do ishte PD ajo që do t’i paraqiste në vitin 1991, parlamentit të Shqipërisë rezoluten për njohjen e Republikës së Kosovës. Pse ky ndryshim? Së pari, ky ishte vullneti i popullit të Kosovës nën pushtim.
Së dyti, kjo ishte rruga e vetme për të shmangur një ndarje tjetër të dhimbshme të trojeve shiptare, ndarje që do shoqëronte bashkimin dhe që në të cilën padiskutim shqiptarët përsëri do humbisnin përgjithmonë territore të tjera.
Unë i kam të freskëta ende takimet me shtetarë të tjerë, momentet në të cilat ata, në bisedime me mua skuqeshin nga inati kur unë mbroja idenë e dy shteteve shqiptare. Madje ndodhte që humbisnin durimin dhe etikën dhe zotoheshin para meje se kjo kurrë nuk do të ndodhte.
Ndërkohë që nuk ishin kundërshtues për ndarje dhe bashkime të reja në këto treva. Prandaj dhe shqiptarët, në të dy anët e kufirit, ishin për pavarësinë e Kosovës dhe jo për bashkim kombëtar në kushtet e asaj kohe.
Shqiptaret, tani të lirë, duhet të jenë të vetëdijshëm se procesi i bashkimit kombëtar mund të vijë vetëm si një proces paqësor i dy shteteve demokratike të pavarura, në të cilin ata nuk i marrin kujt, qoftë dhe një kilometër katror.
Ky proces do mund të ndodhë vetëm në ujdi të plotë me SHBA, BE, vendet anëtare dhe OKB, si dhe të gjithë ata që bënë të mundur pavarësinë e Kosovës. Por në këtë proces, rëndësi kryesore ka që ne ti bëjmë kufijtë tanë të parëndësishëm, thjesht konvencional. Eshtë e domosdoshme që
Shqipëria dhe Kosova, gradualisht pa asnjë lloj kompleksi të njësojnë të gjitha ligjet, aktet nënligjore, praktikat, në mënyrë që qytetarët shqiptarë, kudo që jetojnë, të ndjehen në vendin e tyre, pavarësisht nga kufiri. Në këtë aspekt, standartet europiane përbëjnë një bazë të shkëlqyer unifikimi, dhe mundet që integrimi i plotë i dy vendeve në BE të lehtësojë dhe më shumë këtë proces.
Në bashkëpunimin ndërmjet tyre, shqiptaret nuk duhet të kenë asnjë kompleks nga akuzat për Shqipërinë e Madhe. Kjo e fundit është sajesë antishqiptare e pushtuesve të trojeve shqiptare dhe miqve të tyre. Një bashkim kombëtar i shqiptarëve nuk është krijimi i Shqipërisë së Madhe.
Kjo e fundit nuk ka ekzistuar kurrë në asnjë kohë, por është fundi i padrejtësisë së madhe që ju bë kombit shqiptar në konferencën e Londrës, duke ia coptuar në 5 shtete territoret e tij. Cilido që është i interesuar, le t’u referohet dokumentave, hartave të kësaj konference.
Ato dokumenta pohojnë, se thjesht po coptoheshin territoret, jo të Shqipërisë së Madhe, por sipas të gjitha hartave të tyre, vetëm të Shqipërisë që paraqitej në këto harta si një entitet etnik e gjeografik, kufinjtë e të cilës shtriheshin vetëm në territore ku shqiptarët ishin shumicë etnike dhe vazhdimësi gjeografike.
Pikërisht mbi këto harta të Shqipërisë, u hoqën vijat fatale, coptuese dhe 2/3 e territoreve të banuara nga shqiptarët, dhe të konsideruara si territore të Shqipërisë iu dhanë si shpërblim fqinjëve tanë grabitqarë.
Serbomadhia, Bullgaromadhia, Grekomadhia, Rumunomadhia dhe hartat qe i paraqisnin ato, që të gjitha ishin projekte politike të bazuara në luftra të përgjakshme, pushtime të egra të tokave dhe territoreve të të tjerëve, spastrimesh etnike, gjë që nuk ka ndodhur kurrë me shqiptarët.
Ndërkohë në të gjithë shekujt nuk ekziston qoftë dhe një hartë e vetme në arkivat apo biblotekat e botës që të paraqitet si hartë e Shqipërisë së Madhe. Askush, asnjë historian nuk mund të faktojë me ndonjë hartë apo dokument se shqiptarët pushtuan territore dhe spastruan popullata të fqinjëve tanë. Ndaj dhe duhet hedhur poshtë me përçmim çdo insinuatë, sipas të cilës bashkimi i kombit shqiptar është krijimi i Shqipërisë së Madhe.
Dhe një herë, ky bashkim është vetëm fundi i njërës prej padrejtësive më të mëdha historike të fuqive të mëdha të Europës, së fillim shekullit të kaluar.
Për më tepër, kjo padrejtësi e tmerrshme, siç dihet u bazua në motive dhe parime të rracizmit fetar, të cilin sot asnjëra nga demokracitë e mëdha perendimore nuk i pranon më.
Përveç këtyre, këto fuqi, me çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës bënë një korrigjim të rëndësishëm të kësaj padrejtësie ndaj shqiptarëve, dhe shpresoj e besoj se ajo gradualisht do të korrigjohet plotësisht në interesin më të mirë jo vetëm te kombit shqiptar por dhe kombeve të tjera, paqes se qëndrueshme, bashkëpunimit dhe stabilitetit në rajon.
“Bota sot”: A kanë pasur ndonjë rezultat sipas jush mbledhjet mes dy Qeverive Shqipëri-Kosovë?
Sali Berisha: Mbledhjet midis dy qeverive janë një zhvillim pozitiv dhe mendoj i domosdoshëm. Por, po hyri Edi Rama në mes, ato përfundojnë në fasadë ndaj dhe përveç fotos, përgatitja dhe vendimet e tyre, kanë qenë thuaj të ngjashme, sikur takoheshin autoritetet e dy njësive të qeverisjes vendore, të themi Shkodrës dhe Pejës, apo Gjakovës dhe Krujës.
Edhe këto bashki dhe komuna mund të jepnin jo 100 mijë por dhe dy herë më shumë euro sa dhanë dy qeveritë për maternitetin e Preshevës. Në mbledhjen e fundit folën për një projekt të mëparshëm të investimit të përbashkët në fushën e termo-energjisë, dhe do të ishte e dobishme që ky projekt të konkretizohej.
Uroj që axhenda e tyre të përqëndrohet në krijimin e hapsirës së përbashkët ekonomike, njësimin e të gjitha ligjeve, standarteve dhe praktikave, zgjidhjen e çeshtjes se shtetësisë, projekte të përbashkëta veçanërshit në përfundimin e hekurudhës dhe korridorit shqiptar të rajonit etj. Sidoqoftë takimet duhet të vazhdojnë!
“Bota sot”: Z. Berisha çfarë dini për rastin e zhdukjes së biznesmenit Remzi Hoxha, pasi në këtë rast është apostrofuar shpeshherë edhe emri juaj?
Sali Berisha: Unë emrin e biznesmenit Remzi Hoxha e kam dëgjuar për herë të parë nga z. Adem Demaçi, i cili më ka ardhur në zyrë dhe më ka shprehur shqetësimin e tij se ky person është zhdukur në Shqipëri.
Menjëherë kam ngarkuar të gjitha autoritetet përkatëse të Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë së Përgjithshme, Shërbimit Inteligjent dhe prej tyre më është raportuar se ato nuk kishin asnjë dijeni për personin në fjalë.
Nuk kam patur absolutisht asnjë informacion, siç është folur më vonë se ky person ishte i implikuar në autobombën kundër Gligorovit dhe më pas u tha dhe në atentat ndaj meje.
Pas kalimit në opozitë, qeveria e atëhershme më akuzoi mua për krime kundër njerëzimit, 8 muaj para se Gjykata Ndërkombëtare të akuzonte Milosheviçin dhe nuk bëri asnjë prononcim për zhdukjen e biznesmenit në fjalë. Nuk i di arsyet pse heshten! Sigurisht hetuan por nuk gjetën asnjë lidhje.
Më vonë janë bërë arrestime të punonjësve të Shërbimit Informativ dhe personat janë liruar nga gjykatat si të pafajshëm, ndërkohë që siç dihet, prokurorinë e kontrollonte tërësisht PS. Duke mirëkuptuar dhimbjen e familjarëve për njeriun e tyre të dashur, më duhet të them se përshtypje më ka bërë fakti që problemi i tij ngrihej në fushata elektorale. Këto janë gjithçka di unë për këtë çështje!
“Bota sot”: Cili është vlerësimi juaj për ish Presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova?
Sali Berisha: Në mënyrë të përsëritur jam shprehur se Ibrahim Rugova është për kombin tonë politikani i vetëm gjenial. Ai si politikan, intelektual dhe misionarë me vizionin, qëndresën paqësore, guximin, karakterin e papërkulshëm, njerëzinë dhe civilitetin e tij themeloi dhe udhëhoqi drejt pavarësisë Kosovën e sotme, shtet të lirë dhe sovran.
Presideni Rugova, së bashku me komandantin legjendar Adem Jashari dhe të gjithë ata që luftuan dhe u flijuan për lirinë e Kosovës bënë të mundur që shqiptarët kudo që janë të festojnë të lirë dhe krenarë këtë ditë.
“Bota sot”: A po mund të përmbushet vizioni i tij për Kosovën?
Sali Berisha: Mendoj, se po permbushet dhe do të permbushet plotesisht vizioni i Presidentit Rugova, Kosova e lirë e pavarur demokratike, europiane!
“Bota sot”: A jeni ju për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën?
Sali Berisha: Pavarësia e Kosovës është dita më e shënuar e jetës time. Bashkimi i kombit shqiptar ka qenë dhe mbetet ideali im suprem.